Gjashtë punonjësit e policisë kufitare në Gjirokastër të arrestuar dy ditë më parë për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit kanë lënë qelitë.
Gjykata ka lënë në "arrest shtëpie" 5 prej tyre, ndërsa për Roland Gegën është caktuar “detyrim paraqitje”.
Ndërkaq për shoferët Besnik Sinani dhe tjetrin të shpallur në kërkim u dha masa "arrest me burg".
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHCBA) në Gjirokastër arrestoi 6 punonjësit e Policisë Kufitare për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjithashtu u arrestua edhe një qytetar nga Fieri, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Sipas burimeve zyrtare, këta punonjës policie në kohë të ndryshme kanë lehtësuar kalimin e paligjshëm nëpërmjet vijës së gjelbër, kundrejt shpërblimit, për shtetas të ndryshëm që kanë pasur probleme me lëvizjen në zonën ‘Shengen’.
Për disa muaj me radhë, efektivë të SHÇBA kanë mbajtur nën vëzhgim, përgjuar dhe kryer veprime simuluese, për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të këtyre shtetasve.