Vit i ri por me halle të vjetra, ankohen prindërit

Hënë, 24 September 2018 19:38

Ashtu si në gjithë vendin, viti i ri shkollor ka nisur dhe për shkollën 9 vjeçare "Loni Mone" në Poro të Vlorës, por me probleme të mbartuara.

Përkundër premtimeve, problemi i pagesës së sanitares të denoncuar nga emisioni investigativ BOOM në RTV Ora News në korrik të këtij viti duket se nuk ka marrë zgjidhje.

Prej katër vitesh, prindërit janë detyruar të paguajnë për fëmijët e tyre në mënyrë që të kenë një sanitare për shkollën, por situata sipas tyre është bërë e papranueshme dhe institucionet përgjegjëse duhet ti japin zgjidhje.

"Kemi kërkuar dhe në bashki. Këtë vit të shikojmë, deri tani nuk është zgjidhur. Ka shumë prindër që nuk kanë , kanë tre fëmijë, pse duhet ta paguajnë nga xhepi?"

"Pse mos të ketë shkolla një pastruese, të ngrihet mësuesja të zërë tualetet".

"Nëse nuk zgjidhet, fëmijët do bojkotojnë mësimin, do paraqiten në mëngjes por nuk do futen në shkollë.Që mos të marrin mungesa do paraqiten".

"Katër vjet mblidhen lekët privatisht nga nxënësit, unë jam pa punë. Ku ti gjej lekët? Nuk ka fonde thonë".

Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare thotë se ka dërguar kërkesën në bashki por verbalisht i është thënë se nuk ka fonde.

Drejtoresha e shkollës: Do shkoni do merrni leje në Drejtori, nuk ka shans që të prononcohem.Në bashki do marrësh të gjitha përgjigjet.Shko në DAR dhe merr leje të flasësh me mua.Kam bërë kërkesë, kam marrë përgjigje verbale se nuk ka fonde.

Gazetari i BOOM ishte dhe në bashkinë e Vlorë ku Drejtorja e Burimeve Njerëzore i dha këtë përgjigje për çështjen.

Drejtorja e Burimeve Njerëzore: "Jemi duke u marrë por na mungon baza ligjore.Na duhet një normative për sa sipërfaqe, sa nxënës duhet një sanitare. Kam një numër të caktuar jo arsimorë që vinë nga Ministria dhe unë këtë numër dua ta riorganizoj. Po rrahim mendime, ndoshta në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak mund të kemi ndonjë vendimmarrje për të rregulluar këtë ngërç që kemi".

Login to post comments