Tregtarët e karburanteve: Koncesioni për kontrollin e matësve bie ndesh me ligjin, do transferohet në çmimin e naftës

Tuesday, 25 September 2018 07:01

Ministria e Financave dhe Ekonomisë prej datës 18 shtator ka hapur garën për një koncesion 20 vjeçar që lidhet me kontrollin e matësve të karburantit dhe gazit në gjithë territorin e vendit. Të shqetësuar për mënyrën sesi po procedohet me këtë rast, aktorët e tregut të karburanteve shprehen se nisma e qeverisë është në kundërshtim me ligjin “Për metrologjinë” por paraqet edhe një seri problematikash të tjera.

Kjo nismë, sipas tyre, bie në kundërshtim me ligjin nr.9875 date 14.2 2008 “Për metrologjinë” i cili jep qartë sidomos në nenin 40 sesi funksionon sektori i kontrollit dhe kolaudimit të matësve. Në këtë nen dhe saktësisht në pikën 2 thuhet se Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë mund të autorizojë një person juridik, që plotëson kushtet e përshkruara, për të realizuar verifikimin e instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara dhe ekspertizën metrologjike, kur kjo drejtori nuk ka mundësi t’i realizojë këto detyra. Deri më tani kjo Drejtori nuk është se nuk ka pasur mundësi të kontrollojë tregun plus që tek ky institucion janë investuar pafund në trajnime dhe laboratore modern që tani nuk dihet për çfarë do I shërbejnë” shprehen tregtarë të mëdhenj të karburanteve në vend. Sipas tyre shteti po kalon një shërbim monopol tek një kompani private duke mos pasur argumente të mjaftueshme për këtë nisëm.

Ata nënvizojnë se Bashkimi Europian ka një model ku shteti kontrollon këtë pjesë pra instrumentet matëse kurse Malta që është një shembull tjetër e ka të liberalizuar, pra autoriteti kyç vendos kriteret që duhet të plotësojnë operatorët që janë të interesuar të hyjnë në treg dhe të ofrojnë shërbimin.

Së treti sipas tyre nuk ka një argumentim të qeverisë se ku qëndron interesi i publikut apo konsumatorit në këtë mes, pra çfarë do t’i ofrohet më mirë konsumatorit pasi ky shërbim t’i kalojë privatit. Qartazi sipas tyre nuk ka interes publik.

E katërta problematikë që shohin tregtarët në garën e hapur nga qeveria për koncesionin e kontrollit të matësve të karburantit dhe gazit është çështja e pikëzimit.

Në tabelën e publikuar në dokumentet e tenderit Ministria e Financave dhe Ekonomisë si autoritet kontraktor rendit se në vlerësimin me 100 pikë të paktën 35 shkojnë për pajisjet, logjistikën, eksperiencën dhe sistemin e informacionit., 20 të tjera për planin e zbatimit të projektit dhe riinvestimit,15 për planin e burimeve njerëzore dhe trajnimeve, 10 për procedurat e menaxhimit të cilësisë, 10 oferta ekonomike për vlerën e investimit fillestar dhe 10 të tjera për tarifën koncesionare.

“Fakti që në pikëzim nuk është përfshirë kostoja me të cilën do të ofrohet shërbimi nga privati është një problem shumë i madh. Koncesionari mund ta vendosë tarifën 2000 lekë për shërbimin por mund ta vendosë edhe 50 mijë lekë tek e fundit ai nuk kufizohet në garë nga kjo pjesë. Sot ky shërbim ofrohet për 7200 lekë dhe çmimi duhet të ishte pjesë e vlerësimit” shprehen tregtarët. Kjo sipas tyre do të thotë një kosto më e madhe që padyshim do të reflektohet edhe në çmimin final për konsumatorin. Të njëjtët operatorë nënvizojnë se ky është koncesioni i tretë që prek këtë sektor pas atij të skanimit dhe atij të markimit që i marrin këtij tregu dhjetëra milionë euro”.

E fundit sipas tyre është që kompania Neo Control sh.p.k që ka shprehur interes përmes një oferte të pa kërkuar si bashkim firmash ka siguruar edhe një autorizim nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për kontrollet teknike të depozitave të karburanteve të tokës. “Praktikisht jemi para një monopoli në tregun e kontrollit dhe kolaudimit të gjithë infrastrukturës së karburanteve. Prandaj Para shpalljes së garës do të ishte me vend që të ishte bërë një konsultim me Agjencinë e Prokurimeve Publike për të parë përputhjen që kanë kriteret e kësaj gare me legjislacionin në fuqi si dhe të merrej një mendim nga Autoriteti i Konkurrencës meqë jemi para një monopoli të ri” shprehen të njëjtët operatorë.

Login to post comments