Kur bëhet fjalë për tatimin mbi dividentin, Shqipëria e ka të humbur garën rajonale. Vetëm Serbia ka një normë më të lartë në 20% dhe 25%, nga 15% që është aktualisht në regjimin fiskal shqiptar. Por Shqipëria nuk e ka garën me Serbinë, por me fqinjët territorial, si Maqedonia apo Mal i Zi, e pse jo edhe pak më tej, me Bosnje Hercegovinën. Të tre këto shtete ofrojnë një tatim mbi dividentin bindshëm më të ulët se vendi ynë, deri në 0%. Për Malin e Zi kjo normë fiksohet në 9% dhe për Maqedoninë në 10%.
Për Bosnje Hercegovinën zbret në 5% dhe për Kosovën madje në 0%. Qeveria shqiptare ndërkohë, me kërkesë specifike të vetë biznesit, po vlerëson idenë e uljes së kësaj takse, nga 15% aktualisht, në 8% ose 10%. Të paktën ky është një ndër opsionet në tavolinën e Ministrisë së Financave për uljen e barrës fiskale ndaj biznesit. Tatimi mbi dividentin është një element mjaft i rëndësishëm edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj, pasi do të ndikonte në ardhjen e bizneseve të mëdha në vendin tonë.
Madje biznesi ka propozuar deri në zerimin e kësaj takse. Dhe shembujt në Europë nuk janë të paktë, e madje tregojnë për shembuj suksesi. Vende si Britania e Madhe, qendra financiare e Europës, apo edhe vende që shërbejnë si magnet për investimet e huaja, si Monaco, Lichtenstein, Luxemburg, Malta, Qipro, por edhe vende si Hungaria apo Letonia e kanë këtë taksë në zero, ndërkohë që në rajon vetëm Kosova e ka përqafuar këtë politikë lehtësuese për biznesin.