Në 1 Janar të vitit të ardhshëm akciza e duhanit do të rritet sërish.
Televizioni Klan ka mësuar se në paketën fiskale që është duke përgatitur qeveria për vitin e ardhshëm kjo taksë do të pësojë një tjetër rritje nga 5750 lekë për 1000 copë që është sot, në 6000 lekë për 1000 copë.
Ky ndryshim pritet të rritë me 7 lekë çmimin për një paketë, ndërsa burime nga ministria e Financave dhe Ekonomisë bëjnë me dije se politika për rritjen e akcizës së cigareve do të vazhdojë deri në vitin 2021.
Paketa fiskale e vitit të ardhshëm synon të ulë disa taksa që do të paguajë biznesi, që nga tatimi i dividentit, i cili sot është në nivelin 15% e deri te lehtësimet proceduriale për efekt të pagesës së tatimit mbi fitimin.
Ekspertët në Ministrinë e Financave janë duke punuar për disa rregullime mbi konceptin e amortizimit të aseteve në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, lëvizje e cila do të bëjë që bizneset të amortizojnë vlera më të mëdha e të paguajnë më pak tatim mbi fitimin.
Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se është në diskutime edhe çështja e heqjes së TVSH-së për inputet në bujqësi. Kërkesa është bërë nga ministria e Bujqësisë, ndërsa pritet një përgjigje nëse kjo nismë do të merret në paketën fiskale të këtij viti apo në atë të vitit të ardhshëm./Tv Klan