Fondacioni ‘Konrad Adenauer’ dhe Politiko.al organizuan sot në hotel Rogner tryezën e debatit “E djathta shqiptare dhe simbolet e saj”. Të pranishëm ishin politikanë dhe përfaqësues të së djathtës, gazetarë, analistë dhe akademikë.
Drejtori i Fondacionit ‘Konrad Adenaur’ për Shqipërinë Walter Gloss në hapje të takimit përveç fjalës përshëndetëse u ndal në dilemën çfarë është konservatore dhe e djathtë, dilemë që sipas tij është e pranishme edhe në radhët e CDU-së, partisë më të madhe gjermane të kancelares Merkel. Gloss përmendi vlerat e CDU të mbështetura te përfytyrimi i njeriut kristian, ruajtja e pasurisë kulturore, ekonomia sociale e tregut, Europa dhe integrimi europian, kundërshtimi i rishtetëzimit etj.
Alfred Lela, drejtor i Politiko dhe moderator i konferencës, tha se në Shqipëri nuk ka një të djathtë, por disa duke përmendur të djathtën tradicionale nacionaliste të para luftës, të djathtën e Diasporës, të djathtën e ngujaur burgjeve dhe të persekutuar nga regjimi dhe të djathën e re të lindur bashkë me PD, një parti tipike popullore. Lela foli për ‘vështirësi ideologjike’ të PD duke qenë se ka një rrallësi të intelektualëve të djathtë’-të cilët, duke iu referuar Roger Scruton janë ‘si zotat grekë në mes të njerëzve’. Shkrimtari Besnik Mustafaj duke folur për atë që ai quajti ‘kujtesa e shpërfillur e demokratëve’ tha se kujtesa e Partisë Demokratike është sinteza programore dhe jo ndërthurja e brezave. Ai e sheh PD-në aktuale si reaguese më shumë se propozuese apo reflektuese. Një dokument-simbol i rëndësishëm i së djathtës sipas tij është programi i Partisë Demokratike i vitit 1992 me të cilin u fituan edhe zgjedhjet.
Studiuesi Mark Marku ka hedhur një ide të re duke i parë fillesat e së djathtës te Rilindja Kombëtare shqiptare. Ai u ndal te vepra e Sami Frashërit ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?” duke nxjerrë prej saj shumë parime që, edhe sot konsiderohen si të së djathtës. Sipas Markut, Rilindja Kombëtare ishte lëvizje elitash jo masash, siç është përpjekur ta përkufizojë e majta, pjesëmarrës i rëndësishëm në të ishte kleri katolik, ortodoks dhe muhamedan duke i dhënë kështu një tjetër përmasë të së djathtës; si edhe drejtimi i saj që ishte i aristokracisë së pronës dhe i aristrokracisë burokratike të Perandorisë Osmane. Gjithashtu, theksoi Marku, rilindasit nuk besonin te revolucioni, por te evolucioni, qoftë kjo edhe te shkëputja graduale prej shtetit osman. Fitim Zekthi, politolog, tha në kumtesën e tij se idetë e djathta rrjedhin nga besimi, duke shtuar se pa një epistemologji të mendimit të djathtë, pa një zinxhir lidhës, pa një kuptim zhvillimi që ndodh nga lart-poshtë, nuk mund të pretendohet për ide të djathta.
Tryeza u shoqërua me një debat të gjallë mbi idetë e hedhura. Nuk munguan ndërhyrjet e njerëzve të politikës si Fatmir Mediu, Romeo Gurakuqi, Genc Pollo, Bardh Kadilli, Roland Bejko, por edhe të tjerëve si Dritan Shano, Erald Kapri, Simon Miraka.
Në qendër të diskutimit ishte simbolika dhe gjuha e përdorur nga e djathta ndër vite, si edhe u bë një krahasim me ligjëratën dhe simbolikën e përdorur nga e majta për të vënë në pah ndryshimet mes tyre.
Diskutimi ishte i hapur edhe për ata që kishin pikpamje të ndryshme rreth kësaj simbolike. Në fund të këtij takimi u vendos që të rihapeshin disa çështje që kishin nevojë për një trajtim më të gjerë, si dhe botimi i një libri me këtë tematikë, në një mënyrë më të hollësishme.