Nga Sesilia Plasari
I nderuar z. Ambasador,
Është mirë ta dini që në shoqërinë shqiptare vazhdon të diskutohet zhgënjimi i pësuar prej jush, që ka të bëjë me shpresën dhe pritshmërinë e madhe që ajo ka investuar në ardhjen e personit tuaj, kur u pa në twitterin tuaj një foto e Erion Veliajt me fëmijë. Si në fillim të një misioni të ri, sado i parainformuar, ju nuk keni si ta njihni personin në fjalë, as përpjekjet e tij për të joshur, me maniera nga më të pështirat, të vegjël e të mëdhenj. Këto maniera të tij janë bërë, në Shqipëri dhe jashtë saj, objekt karikaturash, bejtesh, barsoletash, që do të thotë edhe shqetësimi shumë të madh. Ju mund t’i verifikoni.
Kryetari i bashkisë së Tiranës është nga ata politikanë që po orvaten të shkatërrojnë –përveç shkatërrimeve të tjera–ndërtesën e Teatrit Kombëtar, një monument me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë. Është një orvatje për të cilën kanë vënë në punë të gjitha mjetet, edhe ato më të mbrapshtat. Dhe janë mjete antikushtetuese në një situatë kur i njëjti pushtet e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese. Në vend të monumentit me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë planifikojnë të ngrenë, krahas një të ashtuquajturi “teatër të ri”, kulla fitimprurëse, të cilat do të ndërtohen – me çfarë tjetër? – përveçse me para te dyshimta.
Për t’ia arritur këtij qëllimi edhe mjetet e përdorura nga kryebashkiaku kanë zbritur në nivelin më të padenjë, saktësisht të neveritshëm. Efuzionet e tij ndaj asaj pjese artistësh dhe qytetarësh që nuk bien në të njëjtin mendim me të kanë qenë të një zhargoni aq rrugaçëror, sa do t’ju vrisnin veshin t’jua përktheja. Për to ai as ka ndër mend t’u kërkojë falje atyre njerëzve që u ka shpallur betejë – një kryetar bashkie! – dhe të cilët ju ende nuk i keni dëgjuar. Nuk i keni dëgjuar sepse Shqipëria është një vend nën censure: mediat nuk u japin zë për të shprehur indinjatën e tyre dhe për të informuar masivisht shoqërinë shqiptare atyre që nuk janë në një mendje me planin shkatërrues Veliaj & Rama.
Protesta e këtyre njerëzve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, si monument me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë, ka filluar që në muajin shkurt dhe vazhdon akoma, çdo ditë. Ata nuk kanë pasur pushime. Ata çdo ditë vere kanë qenë atje, në protestën para ndërtesës të planifikuar për t’u prishur. Ndërsa ardhja juaj ka qenë për ta inkurajim. Ju mbërrini në një moment kur një pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare është e zhgënjyer nga disa diplomatë të huaj, por edhe dispononi një media të rëndësishme. Erion Veliaj i ka gjithë mediat dhe makinën propagandistike me vete, postimi juaj vetëm sa mund ta ndikojë atë për keq, duke e bërë të ndjehet më i përkrahur.
Informohuni, ju lutem, që shoqëria shqiptare ka të tjerë që e meritojnë më shumë vëmendjen tuaj. Shoqëria shqiptare nuk ka vetëm një kryetar bashkie të Tiranës, pa asnjë prejardhje profesionale të mirëfilltë përveç agjitimeve në OJF-ra, as vetëm një kryeministër tutor politik të tijin.
Po t’ju informonin për mjetet që përdor kryeministri arrogant i Shqipërisë, duke sfiduar intelektualët më të shquar të vendit, do t’ju tregonin, për shembull, për krahasimet që kohëve të fundit i bën ai vetes me inxhinierin Gustave Eiffel. Ndër deliret pa asnjë lidhje, me të cilat orvatet të sugjestionojë opinion publik, është edhe krahasimi i “teatrit të ri”, që ai po ofron t’ua bëjë “dhuratë” shqiptarëve, me kullën Eiffel. Ndërkohë që askush nuk është ngritur kundër, as ka protestuar kundër ndërtimit të ndonjë “teatri të ri”, kudo qoftë në Tiranë, protestuesit jo e jo. Protesta e njerëzve të teatrit, e arkitektëve, specialistëve të trashëgimisë kulturore, historianëve etj., që përbëjnë pjesë të ndjeshme të shoqërisë, është drejtuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar ekzistues si monument me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë. Jo kundër ndonjë “teatri të ri”. Edhe Maupassant-in ka kuturisur z. Rama ta denigrojë me bindjen se, po të ishte gjallë shkrimtari i madh, kryeministri shqiptar do ta bënte të ndërronte mendje. Në të vërtetë, sikurse mund ta përfytyroni, nëse do të ishte vërtet gjallë Maupassant-i, një personazh si kryeministri në fjalë do të kishte qenë flori për satirat e tij.
Prandaj, ju lutem, keni mirësinë dhe bëni që shoqëria shqiptare, e cila ka provuar këto vite më shumë se kurrë rrugët e kurbetit – mund t’i verifikoni vetë shifrat e frikshme – të ndjehet më pak e zhgënjyer. Ju e dini më mirë se ne që Europa nuk mund t’i mbajë më të ikurit.
Unë që po ju shkruaj kam qenë në Shqipëri regjisore dhe pedagoge. Pas 18 vjetësh studimesh dhe aktiviteti profesional në Francë, u ktheva të kontribuoja në atdhe, por m’u desh të largohem për së dyti, sepse pushteti i sotëm është pushtet barbar për artistët. Dhe sigurisht jo vetëm për ta. Si edhe sepse, në ndryshim nga kolegët e mi në Shqipëri, të cilët i kërcënojnë me bukën e gojës duke i detyruar të heshtin ose të konformohen, unë nuk heshta.
Ata që nuk heshtin dhe nuk konformohen nuk kanë punë në Shqipëri. Eksperienca e Francës dhe mbrojtja që më jep ajo më detyrojnë të mos hesht, të mos konformohem, të flas edhe për ata që nuk munden, dhe t’ju shkruaj. Ju lutem të pranoni, i nderuar zoti Ambasador, konsideratën time plot respekt,