Një shumë prej 70,000 eurosh u nda për vrasjen e gazetarit sllovak, Jan Kuciak, dhe të së fejuarës së tij, Martina Kusnirova, tha prokurori i rastit.
Emri i tij, ashtu si dhe i prokurorëve të tjerë specialë që merren me krimet më serioze, nuk u bë publik për shkak të mbrojtjes së tij.
Prokurori tha se 50,000 euro janë paguar, ndërsa 20,000 eurot e mbetura kanë qenë borxh i falur.
Kuciak dhe Kusnirova janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e tyre, jashtë kryeqytetit Bratisllavë, më 21 shkurt.
Autoritetet sllovake kanë thënë se besojnë se vrasja lidhet me punën e Kuciakut si gazetar, i cili ka qenë duke hetuar korrupsionin e mundshëm në qeveri dhe lidhjet e mundshme midis politikanëve sllovakë dhe mafias italiane, transmeton REL.
Prokurori i shtetit i Sllovakisë ka akuzuar katër persona për vrasje të qëllimshme, në mesin e tyre edhe një grua.
Vrasja e Kuciakut ka shkaktuar protestat më të mëdha në Sllovaki që nga rënia e komunizmit në vitin 1989 dhe krizë të madhe politike që ka çuar në rënien e Qeverisë së kryeministrit Robert Fico në muajin mars.