Pothuajse 480 milionë lekë është vlera e stokut të barnave të skaduara që janë grumbulluar që nga viti 2012 në farmacinë e Qendrës Spitalore Universitare.
Një pjesë e këtyre barnave janë donacione të bëra nga kompanitë farmaceutike, të cilat pak para se t’u skadonin nëpër magazina, ia falnin QSUT-së pasi nga njëra anë ndihmonin pacientët me barna të cilat mungonin, por nga ana tjetër hiqnin nga vetja një barrë të madhe, pasi në momentin që ato skadonin duheshin asgjësuar dhe kjo ka kosto më vete nëse nuk do të gjenin rrugën më të shkurtër për t’ i derdhur nëpër brigje lumenjsh.
Por, që nga ajo kohë, depo në QSUT është mbushur me barna të skaduara, edhe pse shpesh kompani të ndryshme farmaceutike që kishin barna të skaduara ose barna në prag të datës së skadencës, favorizoheshin duke ia blerë në mënyrë që kompanitë të mos dilnin jo vetëm me humbje nga mostregtimi i barnave, por për t’u hequr edhe koston e agjësimit.
Top Channel mësoi se drejtoria e QSUT-së ka hapur tender për asgjësimin e barnave dhe materiale mjekësore për vitin 2018. Tenderi me fondin limit 10 milionë e 280 mijë lekë është hapur sipas të gjitha procedurave ligjore në datën 7 qershor 2018 dhe është mbyllur në korrik të po këtij viti.
Por, ky tender ka dështuar. Ofertuesit nuk kanë përmbushur kriteret e përcaktuara dhe të njëjtat burime shpiegojnë se kjo nuk është hera e parë që dështon tenderi.