Nga sot Radio Televizioni Ora News ka një drejtore të re Informacioni. Ajo është Beti Njuma. Gazetarja me eksperiencë të gjatë në media, realizuesja e dhjetëra reportazheve dhe dokumentarë, por dhe përkthyesja e shumë librave nis sfidën e drejtimit të departamentit të informacionit në Radio Televizionin Ora News.
Prezantimi u bë pasditen e sotme në newsroom mes gazetarëve, kameramanëve dhe gjithë stafit televiziv.
"Pas shumë takimesh vendosa t'ia besoj drejtimin zonjës Beti Njuma. Me hir e me pahir Radio Televizioni Ora News ka hyrë në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve. Jam i sigurt që edhe me drejtimin e drejtoreshës Beti Njuma, ekrani i Ora News do të vijojë të jetë ekrani i të gjithë shqiptarëve për të përcjellë lajmin e vërtetë ashtu siç është i pandikuar politikisht. Do të vijojmë të jemi zëri i shqiptarëve që na besojnë dhe pultin e televizorit e mbajnë vetëm tek Ora News për tu informuar," u shpreh presidenti Ylli Ndroqi, pa harruar të falenderojë, ish drejtoreshën e Informacionit, zonjën Ilva Tare, e cila punoi për të ngriti në standarde të larta profesionale ekranin informativ të Ora News.
"Këtë traditë jam i sigurtë që do e vijojmë më tej," vijoi presidenti.
Vendosi ta pranojë sfidën e re, atë të drejtimit, sepse një gazetar profesionist nuk rresht së renduri pas sfidave
"Falenderoj presidentin Ylli Ndroqi që vlerësoi kontributin dhe personalitetin tim duke më besuar këtë detyrë. Është e vërtetë, u mendova gjatë për të vendosur largimin tim nga Top Channel, ku punova për 14 vjet, por jam e bindur se lashë një familje për të gjetur një familje më të madhe këtu," u shpreh drejtoresha e Informacionit Ora News, Beti Njuma.
Me urimin "Na vaftë mbarë! Suksesi arrihet kur të gjithë kemi dhe punojmë për një qëllim," drejtoresha Njuma u prezantua me stafin e televizionit.