Zgjidhet misteri i shqiptarit të zhdukur në Barcelonë

Premte, 05 October 2018 12:56

Policia spanjolle ka zbardhur një ngjarje kriminale, duke gjetur trupin e pajetë të një shqiptari të zhdukur në Barcelonë në Qershor të vitit 2017. Një vit më parë, një grua moldave shkoi në polici për të denoncuar zhdukjen e shqiptarit.

Sipas dëshmisë së saj, shqiptari ishte zhdukur dhe kishte lënë sendet e tij në banesën që ajo ia kishte lënë me qira. Një muaj më vonë, në Korrik në policinë spanjolle u paraqit edhe babai i shqiptarit të zhdukur. Mediat në Spanjë shkruajnë se i ati kishte udhëtuar nga Shqipëria pasi kishte humbur kontaktet me djalin. Ai bëri të njëjtin denoncim si gruaja moldave për zhdukjen e shqiptarit. Në kallëzimin që bëri, babai u tha policëve se gruaja moldave kishte bashkëjetuar me djalin e tij për disa vite në Katalonjë.

Në këtë pikë, hetuesit dyshuan për krim pasioni dhe e dyshuara e parë u bë pikërisht gruaja moldave, pasi nuk tregoi se me të zhdukurin kishte pasur lidhje. Gjatë hetimeve, policia zbuloi se kishte të bënte me një organizatë kriminale të trafikut të drogës. Pjesë e kësaj organizate ishte edhe moldavja. Sipas autoriteteve spanjolle, pjesëtarët e këtij grupi kishin hapur disa biznese, të cilat i përdornin për të pastruar paratë dhe mbuluar aktivitetet e paligjshme. Në lidhje me krimin, policia arrestoi tre persona për vrasjen e shqiptarit të zhdukur një vit më parë.

Mes tyre është edhe gruaja moldave, ish – partnere e shqiptarit. Trupi i pajetë ishte varrosur në një zonë industriale. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se bëhet fjalë për shqiptarin e zhdukur dhe mbetjet e trupit të tij janë rikuperuar. Identiteti nuk është bërë me dije. Ndërkohë, 9 persona të tjerë janë arrestuar si anëtarë të bandës për kultivimin e parcelave të kanabisit, pjesë e cilës ishte edhe gruaja moldave. Pikërisht hetimet për ish-partneren e shqiptarit, zbuluan rastësisht organizatën e drogës. 

Login to post comments