Tri femra, origjina e të cilave nuk bëhet e ditur ende, janë gjetur të vdekura në Greqi, vetëm pak metra larg lumit Evros, që ndan vendin nga Turqia.
Trupat janë gjetur në një fushë nga një kalimtar, jo shumë larg njëri-tjetrit, në një rrugë që përdorej për kalimin e emigrantëve nga Turqia, drejt Greqisë, transmeton tch.
Burime pranë policisë greke bënë të ditur se të tri gratë u gjetën me plagë në trup, ndërsa dyshohet se mund të jenë përdhunuar, para se të vriten, ndonëse është ende herët për të dalë në konkluzione.
Dy prej tyre ishin 15 dhe 18 vjeç, ndërsa policia thotë se ka dyshime që femrat kanë pasur lidhje familjare me njëra-tjetrën, dhe se shkaqet e vrasjes së tyre nuk dihen ende.
Lumi Evros është bërë një rrugë kalimi për emigrantët sirianë që vijnë nga Turqia dhe synojnë kalimin për në Greqi, teksa vetëm në gjysmën e parë të 2018-ës, rreth 10 mijë emigrantë hynë në vendin helen nëpërmjet kësaj rruge.