Tërmeti në tregjet globale gjatë 24 orëve të fundit ka pasur impakt domethënës edhe në vendin tonë. Dollari amerikan është zhvlerësuar ndjeshëm kundrejt lekut, duke zbritur në 108.15 pikë, që është edhe niveli më i ulët që prej fundit të Shtatorit.
Dollari preku kulmin gjatë këtij viti më datën 15 Gusht, në 110.5 lekë. Rënia e dollarit amerikan në tregun vendas është reflektuar edhe në tregun e naftës me shumicë në vend.
Ndërkohë, monedha e përbashkët europiane është regjistruar në nivele të pandryshuara në krahasim me sesionin e kaluar, por duke vazhduar qëndresën pranë nivelit më të ulët që prej fillim Qershorit të këtij viti.
Por, ndërkohë që ecuria e euros në tregun vendas nuk ka ndikim nga tregjet e jashtme, ecuria e dollarit amerikan është mjaft e ndjeshme ndaj ecurisë së tregjeve globale.
Paçka se të dhënat flasin për një tendencë të qartë në rënie të dy valutave kryesore, ecuria në vijim është e pamundur të parashikohet.