Fëmijët e lindur sot mund të jenë më të shëndetshëm, më të pasur, më produktivë nëse Shqipëria do të investonte më shumë te kapitali njerëzor

E Enjte, 11 October 2018 15:40

Indeksi i Kapitalit Njerëzor (IKNJ), i prezantuar sot në Takimet Vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së, tregon se një fëmijë i lindur sot në Shqipëri kur të rritet do të ketë 62% të produktivitetit që do të kishte nëse do të gëzonte arsimim të përfunduar dhe shëndet të plotë. IKNJ për Shqipërinë është më i lartë nga sa do të pritej nisur nga vende me të njëjtin nivel të të ardhurave.

Studimi i Bankës Botërore i prezantuar sot u paraqet politikëbërësve dëshmi bindëse se arritja e rezultateve më të mira në shëndetin dhe shkollimin e fëmijëve mund t’i rrisë ndjeshëm të ardhurat e njerëzve dhe të vendit, me përfitime që do të ndihen edhe në të ardhmen e largët.

“Për më të varfrit, shpesh kapitali njerëzor është kapitali i vetëm që kanë,” – u shpreh Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim. – “Kapitali njerëzor është një faktor kryesor shtytës i rritjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse ekonomike, por investimi në shëndetësi dhe arsim nuk ka marrë vëmendjen që meriton. Ky indeks vendos një lidhje të drejtpërdrejtë midis përmirësimit të rezultateve në shëndetësi dhe arsim, produktivitetit dhe rritjes ekonomike. Shpresoj se do t’i i shtyjë vendet të veprojnë menjëherë për të investuar më shumë dhe në mënyrë më efektive te njerëzit.”

“Steka po rritet për të gjithë,” – shtoi Kim. – “Ngritja e kapitalit njerëzor ka rëndësi të veçantë për të gjitha vendet, në të gjitha nivelet e të ardhurave, për të konkurruar në ekonominë e së ardhmes”.

Indeksi i Kapitalit Njerëzor mat nivelin e kapitalit njerëzor që një fëmijë i lindur sot mund të presë të arrijë deri në moshën 18-vjeçare. Ky indeks vlerëson ku ndodhet secili vend tani lidhur me produktivitetin e brezit të ardhshëm të punonjësve. Ai mat sa larg ndodhet secili vend nga caku i arsimimit të përfunduar dhe shëndetit të plotë për një fëmijë të lindur sot, duke përdorur një shkallë nga zero deri në një, ku 1 shënon rezultatin më të mirë të mundshëm. Indeksi përbëhet nga pesë tregues: probabiliteti i të arriturit të moshës pesëvjeçare, sa vjet shkollim pritet të kryejë fëmija dhe sa do të mësojë, norma e të jetuarit në moshë të rritur (përqindja e 15-vjeçarëve që do të arrijnë moshën 60-vjeçare) dhe përqindja e fëmijëve me zhvillim normal.

Shqipëria e ka rritur mbulimin dhe cilësinë e arsimimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme. Hyrja në arsimimin parashkollor është rritur ndjeshëm nga 58 për qind në vitin 2007 në 83 për qind në vitin 2017. Në periudhën afatgjatë, mundësitë e hershme për mësim sjellin arritje më të larta mësimore, produktivitet më të lartë pas shkollës dhe të ardhura më të larta dhe kanë një shkallë më të lartë përfitimi për grupet në pozita të cenueshme. Por duhet bërë më shumë për cilësinë e arsimit parashkollor dhe gjithëpërfshirjen, sidomos për fëmijët në pozita të pafavorshme, që është edhe një prioritet i njohur nga Qeveria e Shqipërisë.

Shqipëria ka arritur t’i përmirësojë rezultatet e veta mesatare në PISA, paçka se në kushtet e një sistemi arsimor në zgjerim të shpejtë, sidomos në arsimin e mesëm nga rreth 40 për qind në vitin 2000 në 95 për qind në vitin 2015.

99 nga 100 fëmijë të lindur në Shqipëri e arrijnë moshën 5-vjeçare, por shkallët e vdekshmërisë foshnjore, vdekshmërisë amësore dhe zhvillimit të mangët janë pak më të larta se vendet e tjera të rajonit dhe ka ende vend për përmirësime.

Të dhënat e zbërthyera sipas sekseve janë të disponueshme për 126 prej 175 vendeve që mbulon Indeksi. Në shumicën e vendeve, hendeku i kapitalit njerëzor për djemtë dhe për vajzat i matur si largësia nga caku maksimal është më i madh se hendeku midis djemve dhe vajzave. Shqipëria ka arritur barazi të plotë midis gjinive në arsimin parashkollor dhe atë fillor. Vitet e fundit, shkalla bruto e regjistrimit ka qenë pothuajse identike për djemtë dhe për vajzat në arsimin parashkollor dhe atë fillor. Mirëpo, arsimin e mesëm e ndjek një numër më i madh meshkujsh se femrash, ndërsa në arsimin e lartë ka më shumë femra, çka tregon se në të ardhmen duhet të marrin përgjigje pabarazitë në këto nivele të arsimit.

Indeksi është pjesë e një projekti të Bankës Botërore, Projekti për Kapitalin Njerëzor, i cili e njeh kapitalin njerëzor si faktor të rritjes gjithëpërfshirëse. Krahas Indeksit, Projekti për Kapitalin Njerëzor përfshin një program për fuqizimin e punës kërkimore dhe matjeve mbi kapitalin njerëzor, si edhe për mbështetjen e vendeve për ta përshpejtuar progresin në rezultatet e kapitalit njerëzor.

Rreth 28 vende nga rajone të ndryshme dhe nivele të ndryshme të ardhurash kanë shprehur interes paraprak për të marrë pjesë në Projekt dhe kanë caktuar pikat e kontaktit pranë qeverive të tyre për të punuar me Grupin e Bankës Botërore. Këto vende kanë filluar punën për ngritjen e dialogut për politikat e kapitalit njerëzor në ministritë e linjës dhe për identifikimin e prioriteteve kombëtare për përshpejtim të progresit në kapitalin njerëzor, mbështetur në planet e zhvillimit të secilit vend.

Indeksi përfshihet në Raportin e ardhshëm të zhvillimit botëror 2019 “Ndryshimet në natyrën e punës”, ku trajtohet rëndësia që ka investimit te kapitali njerëzor për të qenë të përgatitur për të ardhmen e punës.

Login to post comments