Paketa fiskale 2019, propozimi për akcizë fundos industrinë e bitumit në vend

Hënë, 15 October 2018 08:45

Propozimi për vendosjen e akcizës për zhavorrin bituminoz në 2 lekë për kilogramë (2,000 lekë për tonë), lëndë e cila aktualisht përdoret vetëm për djegie, ka shqetësuar të pestë operatorët që operojnë në tregun vendas.

Në rast se ky propozim do të miratohet, falimentimi për pesë kompanitë që operojnë në vend do të jetë i pashmangshëm.

Të gjithë subjektet e industrisë nxjerrëse pohojnë se janë në vështirësi ekonomike për shkak të shkallës së taksimit të lartë dhe uljes së çmimit të mineraleve në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar. Kompanitë, aktualisht, janë në nivelet minimale të prodhimit.

Kompanitë që operojnë në treg pohojnë për “Monitor” se nuk është marrë mendimi i tyre, si grup interesi, për vendosjen e akcizës. Që nga viti 2015, ka pasur ndryshime të vazhdueshme në legjislacionin që kanë prekur direkt sektorin e tyre. Ndërsa në 2016-n, për shkak të vendosjes së rentës minerare si tarifë fikse, kompanitë nuk operuan në treg. Me vendosjen e akcizës së propozuar, kostot e parashikuara (shiko tabelën) do të tejkalojnë edhe çmimin e shitjes. Me vendosjen e akcizës, kostot për një ton zhavorr bituminoz llogariten rreth 3398 lekë, ndërsa çmimi mesatar për tonë varjon nga 2500 lekë në 3000 lekë në varësi të cilësisë.

“Impakti i shtimit të taksës së akcizës, nuk do të ketë efektet e pritshme për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, pasi Balkan Mineral Invest dhe shumë shoqëri minerare, të cilat operojnë në këtë fushë, me këto rritje në kosto jo vetëm që nuk do të arrijnë të realizojnë shitjet sipas kontratave ekzistuese që kanë, por shumë shpejt do të jenë të destinuara për të falimentuar, duke sjellë kështu dhe një rrënim të industrisë minerare në rang vendi,-” tha Gloria Çeno, përfaqësuese e kompanisë Balkan Mineral Invest, për Monitor.

Patric Pascal, i cili drejton edhe kompaninë Selenice Bitum Sh.a, thotë se me vendosjen e akcizës së propozuar, rreth 100 persona që punojnë në kompaninë e tij do të mbeten pa punë, njësoj si në vitin 2016.

Dëfrim Imamaj, përfaqësues i kompanisë Tili Inert Sh.p.k, shprehet se me propozimin e vendosjes së akcizës për këtë produkt, Imamaj shprehet se e gjithë industria ka rënë në pesimizëm dhe të gjitha kompanitë do të shkojnë drejt falimentimit.

 Efekti në buxhet 80 milionë lekë, por kompanitë i shkatërron

 Sipas relacionit mbi akcizat, vendosja e akcizës 2 lekë për zhavorrin bituminoz parashikohet se do të ketë një efekt në të ardhura prek 80 milionë lekë. Mirëpo aktorët e tregut thonë se në rast se vendoset akciza në këtë vlerë shteti nuk do të mundë të arkëtojë asgjë, pasi të gjithë do të mbyllin fabrikat.

Ky projektligj propozon heqjen nga lista e mallrave të akcizës, të produktit rërë bituminoze, i cili aktualisht akcizohet në masën 2 lekë/kg, me arsyet e mëposhtme:

-nuk mund të përdoret si lëndë djegëse zëvendësuese, pasi përmbajtja e bitumit është 6-9%;

-ka çmim 3 herë më të ulët se “zhavorri bituminoz”;

-përdoret vetëm për shtresat asfaltike të varfra.

Ministria, propozimi është në proces vlerësimi

I kontaktuar nëpërmjet telefonit zoti Mehmet Hasalami, drejtori i Programeve të Zhvillimit të Minierave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thotë se është ende duke u vlerësuar vendosja e një akcize minimale. Për këtë çështje, zoti Hasalami thotë se po ndiqet procedura standarde dhe shton se do të bëhen të gjitha balancimet e nevojshme, do të vlerësohen prioritet dhe do të gjendet një gjuhë e përbashkët me palët e prekura.

 

Login to post comments