Shqipëria vuan nga cektësia e disa shërbimeve bankare sidomos në lëmin e pagesave. Kjo vlen edhe për terminalet POS, të cilat janë instrumente që përdoren për të përpunuar transaksionet që kryen me kartë debiti ose krediti. Kur përdoret terminali POS, të gjitha transaksionet e kartave përpunohen elektronikisht, duke shmangur kështu përdorimin e parasë Cash.
Këto pajisje i përdorin njësite shitjes së mallrave dhe shërbimeve për pagesat me kartë. Shqipëria jo vetëm që ka numrin më të ulët të terminaleve POS në rajon por me një diferencë të madhe edhe nga Kosova.
Vendet e Rajonit me një popullsi të ngjashme me vendin tonë tonë, madje edhe më të vogël kanë më shumë POS-e.
Sipas të dhënave nga BSH-së, Shqipëria vitin e kaluar ka numëruar 7294 POS-e, ndërsa Kosova kishte më shumë se 10 mijë të tilla, Mali i ZI numëroi rreth 13 mijë POSE me një popullsi rreth 700 mijë banorë. Maqedonia numëroi rreth 35 mijë POS-e dhe Serbia me shumë se 84 mijë të tilla.
Nga pikëpamja e aksesit financiar rezulton se përqindja e popullsisë shqiptare që zotëron një llogari bankare, krahasuar me treguesit globalë është e kufizuar.
Përdorimi i këtyre llogarive për pagesa me instrumente elektronike tregon se në vitin 2017, rreth 10% e llogarive bankare mund të aksesohen online nëpërmjet shërbimeve home banking.
Pavarësisht numrit të ulët të këtyre llogarive ndaj totalit, vitet e fundit, ecuria e tyre është paraqitur gjithnjë e në rritje duke u dyfishuar krahasuar me vitin 2014. Ky trend rritës u reflektua edhe në shtimin e transaksioneve të kryera nëpërmjet shërbimeve home banking.
Gjithashtu kartat bankare në tregun shqiptar po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim, edhe pse krahasuar me vendet e rajonit, tregu shqiptar shënon nivele të ulëta. Aktualisht, në tregun tonë rreth 1/3 e popullsisë zotëron një kartë debiti dhe vetëm 8% një kartë krediti.
Infrastruktura për përdorimin e kartave si mjet pagese ka paraqitur ritme rritëse. Megjithatë, krahasuar me rajonin, kjo infrastrukturë mbetet e kufizuar dhe e përqendruar kryesisht në zonat urbane. Përdorimi i kartave bankare në Shqipëri shfrytëzohet për shërbime bazike, si tërheqje nga ATM-të.