Ambasadori rus, rusofilët e Shqipërisë dhe adoleshentët e gjimnazeve “veteranë lufte”

Hënë, 15 October 2018 10:43
Foto nga ftesa e aktivitetit, si dhe nga anëtarësimet e adoleshentëve në organizatën e "veteranëve" në gjimnaze Foto nga ftesa e aktivitetit, si dhe nga anëtarësimet e adoleshentëve në organizatën e "veteranëve" në gjimnaze

Nga Kastriot Dervishi

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, nëpërmjet një mesazhi, krejt të papritur, analizoi 80-vjetorin e marrëveshjes së Munihut, të 30 shtatorit 1938 (pakti midis Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, të cilën e quan “komploti i Munihut), në thelbin e së cilës kritikonte perëndimin dhe lavdëronte qëndrimin e djeshëm të Bashkimit Sovjetik. Ambasadori i shtetit që ka kontribuar themelisht për copëtimin e Shqipërisë apo që ka dashur ta zhdukë nga harta fare atë vetëm për tekat e sllavëve të Ballkanit, si dhe sot aleati më i ngushtë i Serbisë, qante hallin përpara shqiptarëve se si ishin “nëpërkëmbur normat ndërkombëtare” për Çekosllovakinë. Na nxori mallin e kohës së komunizmit kur derdhej lot për lëvizjet revolucionare në Kongo apo Burkina Faso, por jo asnjëherë halli ynë. Analiza e gjatë e ambasadorit nuk u shoqërua me ndonjë koment për marrëveshjen Molotov-Ribentrop, por më së shumti ai doli me tezën se armiq të Shqipërisë ishte shtetet perëndimore dhe se Rusia na qenka ndryshe nga ajo që njohim dhe dimë fare mirë. Në fund, ambasadori, iu përmbajt fund e krye shkollës sovjetike, teksa e mbyllte këtë “analizë” me porositë e presidentit Putin. Mirë do ishte edhe ndonjë citat nga shoku Enver, por këtë si duket e kanë detyrë enveristët që ia mbledh në aktivitete.  

Për marrëveshjen e Munihut, ambasada e Rusisë në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (ec e gjeje çfarë lidhje kanë këto) organizoi më 9 tetor 2018 konferencën “Nga Munihu në Nuremberg” në Universitetin e Tiranës, ku binte në sy pjesëmarrja e të ashtuquajturve “veteranë të luftës”, nostalgjikëve komunistë, persekutorë, e parazitë të regjimit të shkuar komunist, rusofilë e antiamerikanë të deklaruar.

Konferenca, pati disa ligjërime dhe filmin dokumentar "Nurembergu 70 vjet me pas" me skenar dhe regji të Aleksandër Zvagincev zëvendëspresident i shoqatës botërore të prokuroreve dhe zëvendëskryetar i lidhjes se shkrimtarëve në Rusi.

Referuar informacioneve të përcjella në rrjete sociale, organizata e veteranëve të Shqipërisë ka nxituar menjëherë në shkollat e mesme për të bërë anëtarësi të adoleshentëve e mësuesve, duke e quajture këtë detyrë për “të njohur rrënjët e veta”. Pikërisht në orë të mësimit (ora 13.00). Një mësuese historie merr një tesere me yll të kuq dhe e tregon përpara fotografive, duke na dëshmuar se vetëm histori nuk mund të japë ajo. Një drejtoreshë shkolle po ashtu. Të deleguarit “veteranë”, nga ata të llojit që nuk paguajnë as abonenë, nuk dukeshin si moshë që mund të kenë lidhje me luftën. Ata kanë shqetësim që falsifikimet e regjimit të Enver Hoxhës të helmojnë sa më shumë brezin e ri, që krimet e atij regjimi mos të përmenden kurrë, etj.

Deri më tani nuk kishim dëgjuar që mund të ketë trashëgimi veteranësh. Keni parë ndonjë rast në SHBA (ku ka veteranë të vërtetë lufte, jo si këta që nuk kanë parë luftë me sy), që fëmijët apo nipat e tyre të quhen veteranë?

Organizata e ashtuquajtur e veteranëve është në fakt një grup enveristësh të privilegjuar të regjimit komunist, “antifashizmi” i të cilëve nuk është veçse rusofili. Sa më larg lidhjeve me Rusinë të jetë Shqipëria, sa më larg këtij kontingjenti që mban ajo afër, aq më mirë do jetë vendi. Nuk i duhen as Rusia dhe as përrallat enveristë me “veteranë” që nuk shterojnë kurrë. Perëndimi dhe SHBA janë aleatët e vetëm e natyralë të Shqipërisë. Të ishte për Rusinë, as do figuronim sot në hartë.

Login to post comments