Zyrtarët turq që po hetojnë zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, do të bastisin konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, njoftojnë mediat.
Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi është vrarë në konsullatë nga agjentët sauditë, rreth dy javë më parë, por Riadi e mohon fuqishëm një gjë të tillë.
Presioni diplomatik mbi sauditët, për të dhënë më shumë shpjegime, po rritet.
Të hënën, mbreti Salman i Arabisë Saudite urdhëroi hetime të rastit.
"Mbreti urdhëroi prokurorin publik të hapë një hetim të brendshëm mbi çështjen Khashoggi, bazuar në informacionin e ekipit të përbashkët në Stamboll", tha një zyrtar i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Javën e kaluar, Turqia e pranoi propozimin saudit për të formuar një grup të përbashkët punues për të hetuar zhdukjen e Khashoggit.
Khashoggi, kritik i Qeverisë saudite, i cili ka shkruar për Washington Post, është parë për herë të fundit më 2 tetor, duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.
Burimet turke pohojnë se ai është vrarë nga një ekip i agjentëve sauditë, por Riadi këmbëngul se ai është larguar nga konsullata në gjendje të mirë.