Presidenti Ilir Meta ka dekoruar pas vdekjes me titullin “Mjeshtër i Madh” rekordmenin e atletikës Sadik Demiraj.
Demiraj u vlerësua sot gjatë një ceremonie nga Meta për kontributin e njohur shumëvjeçar si atlet kampion dhe rekordmen në vite, për rolin e tij si studiues e drejtues i sportit shqiptar, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të sportit në arenën ndërkombëtare.
Ilir Meta: “Shembulli i jetës, veprimtarisë dhe rezultateve të Sadik Demirajt, të cilin sot nuk e kemi midis nesh, ka qenë dhe mbetet një shembull sportiv, sidomos për të rinjtë e sotëm dhe atletët e së ardhmes.
Ai ishte një nga atletët më të shquar të sportit shqiptar si dhe një nga pionierët e rekordmenët më të njohur në Shqipëri. Sadik Demiraj mbetet një specialist i fushës së atletikës, i cili gjatë gjithë jetës iu përkushtua këtij sporti të bukur, i palodhur dhe i papërtuar, duke ndihmuar edhe në organizimin e aktiviteteve të veteranëve të atletikës."
Sadik Demiraj ka dalë 14 vjet Kampion Kombëtar duke shënuar 16 rekorde kombëtare në garat e ecjes sportive. Ndërsa vazhdon të mbajë rekordin kombëtar në garat 30km dhe 50km ecje sportive.
I ndjeri Demiraj arriti të jetë në librin e artë të atletikës, duke shkëlqyer në shumë gara kombëtare e ndërkombëtare.
Ilir Meta: "Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ që i akordohet sot njërit prej përfaqësuesve më të spikatur të atletikës shqiptare, Sadik Demiraj, është një vlerësim i punës, sakrificave, rezultateve, respektit, miqësisë, thjeshtësisë dhe korrektësisë, që e karakterizonte këtë figurë të sportit shqiptar, vlera të cilat duhet të kthehen në shembull dhe frymëzim për të gjithë sportistët tanë, sidomos për më të rinjtë.”
Në ceremoni ishin të pranishëm familjarë, kolegë dhe anëtarë të Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”.