Kapitalizimi i sistemit bankar ka arritur nivelin prej 17.9% në mesin e këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar është rritur me një pikë përqindjeje krahasuar me fundin e vitit të kaluar dhe është afërsisht 50% më i lartë se minimum i detyrueshëm rregullator, prej 12%. Përmirësimi në treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit ka ardhur kryesisht nga rënia e vlerës së aseteve të peshuara me koeficientë rreziku.
E thënë më thjeshtë, kjo lidhet me një rrezik më të ulët në kredidhënie të marrë përsipër nga sistemi bankar. Kjo lidhet me rënien e portofolit të kredisë, por jo vetëm. Këtë vit u shfuqizuan disa prej masave rregullatore, që iu vendosnin bankave koeficientë më të lartë rreziku për investimet jashtë vendit.
Ky zhvillim u reflektua në një rritje të treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit, që mat kapitalin rregullator të bankave në raport me vlerën totale të aktiveve, të ponderuara me koeficientë rreziku. Megjithëse rritja e nivelit të mjaftueshmërisë së kapitalit është një zhvillim pozitiv në këndvështrimin rregullator, ai vë në dukje edhe sfidën për një rritje të huadhënies me të cilën po përballet sistemi bankar. Një raport i mjaftueshmërisë së kapitalit tepër i lartë do të nënkuptonte edhe një eficiencë në rënie të investimit dhe të fitimeve në të ardhmen.