Caktohet trupa gjykuese në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që do të shqyrtojë ankimimin e Rovena e Gashit për shkarkimin e saj si prokurore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
"Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 20/2018, datë 17.10.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi kundër vendimit nr. 48 datë 25.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi".
Shorti i hedhur ditën e sotme në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ka përzgjedhur si trupë gjykuese si më poshtë:
Kryesuese: Albana Shtylla
Relator: Luan Daci
Anëtarë: Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo
Më 25 korrik të këtij viti, ish-drejtorja e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, e pezulluar muaj më parë nga kryeprokurorja Arta Marku, u shkarkua nga detyra.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ish- prokurorja, Rovena Gashi nuk e justifikon pasurinë.
Gashi nuk ishte e pranishme gjatë shpalljes së vendimit, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si dhe në seancën dëgjimore me (20 korrik), ku refuzoi Komisionin me argumentin se vendimi për të dhe shumë të tjerë ishte i paracaktuar.