Sherri me armë mes dy të rinjve në qendër të qytetit të Burrelit, për pak i kushtoi jetën një kamerieri.
Ai u plagos nga një plumb që erdhi nga një distancë rreth 50 metra larg lokalit, teksa po iu shërbente klientëve me tabaka në dorë. Plumbi fatmirësisht nuk i ka prekur organet jetësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia bëri të ditur se ngjarja ndodhi dje pasdite, kur një i ri mbeti i plagosur në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Koliqit”, vetëm pak metra larg qendrës së qytetit. Protagonistët e ngjarjes, O. Demiri dhe E. Likseni, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç, kanë debatuar mes tyre pas një sherri të momentit.
Dëshmitarë në vendin e ngjarjes raportuan se ka qenë shtetasi O.Demiri ai që kishte nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe kishte qëlluar në drejtim të Liksenit. Ky i fundit fatmirësisht i ka shpëtuar plumbit, por që më pas është qëlluar kamerieri i lokalit afër vendit të ngjarjes, 20-vjeçari M.Mingla.
Dy të rinjtë që u përfshinë në konflikt janë larguar shumë shpejt nga vendi i ngjarjes, ndërkohë klientët e lokalit e kanë dërguar të plagosurin në spitalin “Xhavit Mara”. “Në qytetin e Burrelit, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Koliqit’, gjatë një konflikti të çastit mes shtetasve O.Demiri dhe E.Likseni, në konflikt e sipër dyshohet se shtetasi O.Demiri ka qëlluar me armë, ku për pasojë është plagosur aksidentalisht dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën M.Mingla, 20 vjeç, i cili nuk kishte lidhje me konfliktin”, bëri të ditur Policia.
Menjëherë pas ngjarjes, efektivë të shumtë të Policisë së Burrelit kanë nisur kontrollet në banesat e familjeve Demiri e Likseni si dhe të të afërmve të tyre. Mësohet se Policia ka shpallur në kërkim të dy këta shtetas. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë arme.
Policia bëri të ditur se kamerieri i lokalit nuk ka lidhje me këtë ngjarje dhe se plagosja e tij ka qenë aksidentale. Ai po çonte kafet e porositura te disa klientë të ulur në njërën prej tavolinave, kur papritur e ka kapur plumbi që erdhi nga një distancë rreth 50 metra më tej./panorama