Në krahasim me fqinjët, Shqipëria ka numrin më të ulët të armëve. Por edhe pse me numrin më të ulët të armëve për 100 banorë, vendi ka normën më të lartë të vrasjeve të kryera me armë zjarri.
Infodata e Il Sole 24 ka publikuar gjetjet e Small Arms Survey, një raport që publikohet për vit.
Sipas të dhënave në Shqipëri përllogaritet se ka rreth 8.6 armë për 100 banorë, më i ulëti në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Numrin më të lartë të armëve për 100 banorë e ka Serbia ku sipas anketës kishte 37.8 armë/100 banorë, më pas renditen Maqedonia me 24.1/100 banorë dhe Bosnje dhe Hercegovina me 17.3 armë për 100 banorë.
Por edhe pse me numër të ulët armësh, Shqipëria ka numrin më të lartë të vrasjeve për 100 mijë banorë, ndërsa Serbia më të ulëtin.
Sipas anketës së cituar nga Infodata, norma e vrasjeve me armë zjarri në Shqipëri është 1.76 për 100 mijë banorë, ndërsa në Serbi 0.47 vrasje me armë zjarri për 100 mijë banorë.
Pas Shqipërisë me normë të lartë të vrasjeve me armë zjarri për 100 mijë banorë renditet Maqedonia me 1.21 vrasje me armë zjarri për 100 mijë banorë, dhe Bosnja me 0.48 vrasje/100 mijë.
Cili vend mban rekordin më të lartë
Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë normën më të lartë në të gjithë botën të vrasjeve me armë zjarri për 100 mijë banorë, me një normë 2.97/100 mijë.
Në Europë normën më të lartë të vrasjeve për 100 mijë banorë e ka Italia, ku sipas të dhënave të raportit ishte 0.7 vrasje për 100 mijë banorë, më e ulët se Shqipëria. Pas Italisë renditet Belgjika me 0.68/ 100 mijë. Pas Belgjikës, për një normë të lartë të vrasjeve me armë zjarri renditet Bullgaria, Luksemburgu dhe Kanadaja, me një normë mbi 0.50 vrasje për 100 mijë banorë.
Vendet me normë më të ulët
Normën më të ulët të vrasjeve e ka Rumania me 0.02 vrasje/100 mijë, Japonia me 0.01 vrasje dhe Malta e cila ka një normë 0 për vrasjet me armë zjarri.