Një prej të pandehurve të dosjes "Volvo 4" i ka rënë të fikët gjatë seancës.
Bëhet fjalë për Vlash Gazulin, 76 vjeç, i cili u transportua me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.
Në kuadër të kësaj dosje janë arrestuar edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka si edhe vëllai i tij Xhevin Ndoka për tjetërsim pronash dhe falsifikim dokumentash.
Në deklaratën e Prokurorisë të datës 22 tetor thuhet: Gjatë këtij hetimi janë zbuluar dhe raste korrupsioni dhe nga ana jonë është nxjerrë masa e sigurisë 'arrest me burg' për Arben Çukun, në detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në kohën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit pasiv të zyrtarit të lartë shtetëror të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Njëkohësisht janë nxjerrë masa sigurimi dhe për shtetas të përfshirë në kryerjen e veprave penale të korrupsionit aktiv të paraqitur në nenet 225 e 25 të Kodit Penal. Po kështu është konkluduar se dy persona që vepronin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe bashkërendonin me grupe të tjera kriminale veprimtarinë e tyre, kanë kryer dhe vepra penale në fushën e falsifikimit të dokumentave, vulave, stampave apo formularëve, shpërdorim detyre të kryer gjithmonë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Për këtë shkak nga ana ime janë nxjerrë masat e sigurimit të disa shtetasve, një pjesë e të cilave janë ekzekutuar nga policia, dhe rezulton se janë shtetasit Xhevin Ndoka, Arben Ndoka, Vlash Gazuli, Zef Ndoka, Zef Lazri, Lule Zeneli, Bledi Ndokaj, Kol Leshi, Luigj Paloka, Mimoza Ndoka, Paulin Simoni. Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë.
Këta shtetas janë përfshirë në veprimtari kriminale të përfitimit, falsifikimit po ashtu punonjës të zyrave shtetërore, hipotekës si edhe noterë publikë të përfshirë në veprimtari përkatëse.
Në përfundim të kësaj deklarate bëj me dije se nga hetimet ka rezultuar se ka të dhëna për veprimptari të kundraligjshme si korrupsion në disa instituticione shtetërore si në Bashki të vendit, prefektura, universitete, në prokurori, gjykata dhe në organe të pushtetit vendor për të cilat vazhdojnë hetimet në vijimësi dhe në mënyrë intensive dhe së shpejti nga ana jonë do të dilet në përfundime konkrete bazuar nga të dhënat që do të dalin nga hetimi i thelluar.