Një 22-vjeccar është arrestuar nga policia pasi i janë gjetur plot 14 kallëpe tritoli në oborrin e shtëpisë së tij.
“I gjenden në oborrin e banesës 14 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse e llojit tritol. Arrestohet 22-vjeçari për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.
Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.5, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit :
- Fatjon Leka, 22 vjeç, banues në “Fushë Arrëz”, Kamëz.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, në oborr i është gjetur e fshehur një qese plasmasi brenda së cilës kishte 14 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse e llojit tritol të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal”, njofton policia.