Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përfunduar analizën e pagesës së detyrimeve tatimore për Tatimin mbi Qiranë nga tatimpaguesit e regjistruar.
Qëllimi i kësaj analize është verifikimi i tatimpaguesve të cilët janë aktivë, por nuk janë të regjistruar në përgjegjesinë tatimore të Tatimit në Burim; tatimpaguesve që janë të regjistruar, por nuk paguajnë Tatim mbi Qiranë, si dhe tatimpaguesve të cilët e paguajnë këtë tatim, por vlera e tyre duhet të përputhet bazuar në VKM nr. 469, datë 3.6.2015. ‘’Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore’’.
Për kategorinë e tatimpaguesve që nuk kanë përgjegjësinë tatimore të Tatimit në Burim, Administrata Tatimore do të verifikojë nëse:
ambientet në adresat e deklaruara ku zhvillohet aktiviteti janë pronë e shoqërisë (vërtetuar me aktet e pronësisë);
ambientet ku zhvillohet aktiviteti janë me kontratë qiraje dhe vlera e qirasë sipas kontratave të lidhura paguhet me faturë tatimore, (vërtetuar nga fatura tatimore për qira, qoftë kjo me TVSH apo e përjashtuar).
ambientet ku zhvillohet aktiviteti janë me kontratë qiraje dhe nuk janë regjistruar për të deklaruar e paguar Tatimin mbi Qiranë. Në këto raste, tatimpaguesit duhet të regjistrohen në përgjegjesinë tatimore të Tatimit në Burim për të deklaruar e paguar Tatimin mbi Qiranë.
I njëjti verifikim do të bëhet dhe për ata tatimpagues, të cilët kanë përgjegjësi tatimore dhe deklarojnë, por nuk paguajnë Tatim mbi Qiranë. Në të gjitha rastet ku tatimpaguesit, rezultojnë me kontrata qiraje të paregjistruara, do të ndërmerren veprimet ligjore për përfshirjen e tyre në përgjegjësine tatimore të Tatimit në Burim, si dhe për pagesën e tij.
Gjithashtu për tatimpaguesit, që tashmë kanë përgjegjësinë tatimore të Tatimit në Burim dhe paguajnë Tatim mbi Qiranë, do të verifikohet nëse vlerat e kontratës së qirasë janë në përputhje me çmimet e referencës. Për diferencat midis vlerës së deklaruar dhe vlerës së kontratës do të kryhen rivlerësimet përkatëse.
Administrata Tatimore i bën thirrje tatimpaguesve, të cilët ende nuk janë subjekt i pagesës së Tatimit mbi Qiranë të regjistrohen dhe të paguajnë detyrimin sipas legjislacionit në fuqi.