Një vit nga vdekja e Adelajdës, miku i saj përlot me dedikimin për gazetaren

Hënë, 29 October 2018 10:01

Gazetarja Adelajda Xhamani u nda nga jeta një vit më parë, si pasojë e një ataku kardiak. 

Një vit nga humbja e saj, gazetari Eraldo Rexho, një prej miqve më të afërt të Adelës ka prkur me postimin e tij.

'Një vit shkoi pa ty Adela... Ti e di, na ke parë, nuk ka qenë i lehtë për asnjërin nga ne. Pa ty 'lufta' ka qenë më e vështirë, trishtimi më i fortë, gëzimi më i shkurtër... Por sidoqoftë jetuam, me ty çdo ditë, ndoshta dhe për ty, për ëndrrat e tua. Ende sot është e vështirë që të besosh se ti nuk je, çdo ditë hap whatsapp e messenger dhe mundohem të të gjej aty, dëgjoj zërin tënd, shoh fotot tona, qaj e qesh me ty, për kohën tonë, kohën e një shoqërie me ditë të paharrueshme, me lumturi, zënka, kapriço, realizime, krenari, probleme dhe me shumë shumë dashuri. Adela, nuk e di ku je, ndoshta ja krah meje në zyrë tani që po shkruaj, por edhe nëse po më sheh e dëgjon nga lart, dije që më mungon shumë. Më mungon fjala jote, buzëqeshja, zgjidhja, e bërtitura, përkëdhelja, më mungon ti Adela... Shumë njerëz kur humbasin dikë të afërt, i drejtohen Zotit me pyetjen: pse e solle në jetën time për kaq pak? Unë nuk ia bëj më Atij këtë pyetje Adela. Vendosa të mos ia bëj më, madje përkundrazi, tani e falenderoj çdo ditë që më dha mundësinë të jetoj një shoqëri të pastër, si kristali, me një vajzë si ty, që më mësoi çdo ditë aq shumë. Lotët ende nuk janë tharë, por kur kujtoj sesa xhan më e kishe dhe mendimi se je gjithmonë me mua, më ka bërë që të vazhdoj nismën që kishim në plan ta ndërmerrnim bashkë... "Në vend të Adelës" është projekti që prezantohet sot, me dëshirën për të ndihmuar dhe për t'i dhënë shpresë vajzave të provincave, që ëndërrojnë Tiranën, që prej pamundësive ekonomike dhe mentalitetit, nuk arrijnë kurrë të bëhen të pavarura e as të vendosin vetë për jetën e tyre, që njësoj si ty ëndërrojnë shkollimin dhe lirinë. Më janë bashkuar shumë miq artistë në këtë projekt Adela, ata që ti i doje fort dhe me ndihmën e tyre dhe të Zotit lart, shpresojmë të çojmë përpara këtë iniciativë që ti e kishe aq përzemër. Do takohemi bashkë pak ditë pas ditëlindjes tënde, në Tiranën që aq shumë e doje. Pusho në paqe engjëll! Parajsa është e jotja, unë jam krenar për këtë ' ka shkruar miku i saj, gazetari Eraldo Rexho. 

Vdekja e Adelajdës tronditi mbarë opinionin publik, pasi ajo ishte një figurë mjaft e dashur, që rrëmbeu zemrat e të gjithëve prej edicionit të Big Brother. 

Login to post comments