Të gjithë tatimpaguesit duhet të vetëkorrigjojnë raportimet, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë. Thirrja vjen nga Administrata Tatimore, e cila konstaton se nga monitorimi i vazhdueshëm rezulton se ka tatimpagues aktivë që kanë pasur rënie në xhiron e deklaruar në kasat fiskale, krahasuar me periudhat paraardhëse.
Sipas DPT, të gjitha rastet e tatimpaguesve do të trajtohen përmes sektorit të Kontrollit në çdo Drejtori Rajonale Tatimore përmes thirrjeve në zyrë, vizitave në terren, vizitave fiskale në raste të veçanta, si dhe përmes çdo rruge tjetër komunikimi që do t’i shërbente përmirësimit të raportimit të qarkullimit me pajisje fiskale.
Ndërkohë, tatimet kanë konstatuar gjithashtu edhe tatimpagues, të cilët rezultojnë se nuk kanë transmetuar rregullisht shitjet e tyre ditore, të cilët duhet të vënë në dijeni Administratën Tatimore lidhur me shkaqet, për të cilat nuk është bërë i mundur transmetimi, si dhe të marrin masa për të rregulluar problemin.
Në rast se në vijim tatimpaguesit nuk do të marrin masat e nevojshme për përmirësimin e raportimit me kasë fiskale dhe transmetimet ditore të shitjeve, do të bëhen objekt i kontrolleve tatimore. Këto kategori tatimpaguesish do të njoftohen përmes telefonit nga stafi i Qendrës së Thirrjeve.