Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën në mbledhjen e saj të radhës një seri vendimesh e projektligjesh ku ndër të tjera edhe paketën fiskale që përfshin disa ndryshime të rëndësishme në ligje si ai “për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” apo ai “Për tatimin mbi të ardhurat”. Referuar ndryshimeve në ligj bëhen disa shtesa lidhur me atë që do të konsdierohet e ardhur në burim e cila do të përfshijë tashmë edhe të drejtat për shfrytëzimin e pasurive minerale, të drejtat për shfrytëzimin e pasurive hidrokarbure ose të drejta të tjera për shfrytëzimin e burimeve natyrore tokësore dhe ujore, përfshirë detin në Republikën e Shqipërisë, si dhe informacionit që u përket këtyre të drejtave. Deri më tani këto nuk përfshiheshin ndërsa tani përfshihen nën shkronjën (dh) të nenit 4.
Po kështu do të përfhsihen tek të ardhurat në burim që është tjetërsimi aksioneve ose interesave të ngjashme, të tilla si interesat në ortakëri ose truste, sipas përkufizimeve në legjislacionet përkatëse, kudo që ndodhen, në qoftë se, në çdo kohë gjatë 365 ditëve para tjetërsimit, këtyre aksioneve ose interesave të ngjashme ju buron më shumë se 50 për qind e vlerës direkt ose indirekt nga pasuria e paluajtshme, të drejtat ose informacioni, të përmendura në shkronjën “dh” të këtij neni.
Po kështu në ligjin “Për të ardhurat” ka ndryshuar edhe neni për mbajtjen në burim të të ardhurave duke i diferencuar në dy nivele taksimi. Kështu 15 për qind sipas projektligjit të miratuar në qeveri do të mbahen si tatim në burim nga interesat dhe pagesat e ngjashme me to, pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale, pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet e konsulencës, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit, pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues, pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to, pagesat për qiratë, pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre, të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë.
Shkalla 8 për qind do të aplikohet për dividentët dhe ndarjen e fitimit. “Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8% do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.”thuhet në nenin për dispozitat kalimtare.
Në mbledhjen e të mërkurës kaloi edhe ligji për akcizat si pjesë e paketës fiskale ku shtohet pjesa e pullave fiskale tek duhani i grirë si dhe disa aspekte të tjera rregulluese lidhur me mënyrën si veprohet kur konstatohen mangësi.
Një tjetër projktligj është ai “Për procedurat tatimore” ku nënvizohet se personat që duan të hapin në biznes të ri nuk do të regjistrohen me nipt të ri por me një numër serial të ri nën të njëjtin NIPT. Kjo bëhet për të mos copëzuar aktivitetin me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Ndryshimet përfshijnë edhe mënyrën sesi veprohet për kalimin në regjistrin pasiv, verifikimet si dhe çregjistrimi i subjekteve. Projektligji parashikon edhe rastet e tepricave kreditore sesi bëhet kompensimi si dhe rastet e plotëismit të pasaktë të dekalratës tatimore.
Në projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar bëhen dy ndryshime ku së pari shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, është 6 për qind. Dhe së dyti shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me autobus me dhjetë vende ose më shumë, vetëm me motor elektrik, është 10 për qind. Po kështu parashikohet edhe një lehtësi për prodhuesit e barnave në vend.
Paketa e kaluar përfshin edhe disa specifika tek taksat vendore.