Rinisin fluturimet Greqi-Maqedoni pas pushimit prej më shumë se një dekade

Premte, 02 November 2018 06:48

Kanë rinisur fluturimet midis Greqisë dhe Maqedonisë pas një pushimi prej më shumë se një dekade, si pjesë e përpjekjeve të pajtimit mes dy vendeve pas marrëveshjes historike për ndryshimin e emrit. Greqia ndaloi fluturimet drejt Maqedonisë në vitin 2007.

Në qershor të këtij viti palët ranë dakord se vendi do të merrte emrin Maqedonia e Veriut, duke shuar çdo përplasje me krahinën greke të Maqedonisë dhe në kthim Athina do të ndalonte bllokimin e përpjekjeve të fqinjit të saj për t’u bashkuar me Bashkimin Europian dhe NATO-n.

Aeroplani ‘Aegean Airline’ u nis të enjten në mbrëmje drejt Shkupit, ku midis pasagjerëve ishte edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani.

Gjatë bisedimeve në Athinë, Osmani e cilësoi lidhjen ajrore “një simbol të marrëdhënieve të vërteta që kanë ndërtuar dy vendet”, ndërsa ka shkruar në rrjetin socilal Tweeter se Greqia është bërë aleati më i madh i Maqedonisë.

Shumica në Maqedoni arriti në tetor të këtij viti të sigurojë votat e nevojshme për të vulosur çështjen e ndryshimit të emrit, duke i dhënë fund një përplasje prej më shumë se dy dekadash me Greqinë në lidhje me këtë çështje.

 

Login to post comments