Studentët e Universitetit 'Aleksandër Moisiu' kanë dalë edhe sot në protesta për ndotjen mjedisore që vjen si pasojë e djegies së mbetjeve në Porto Romano.
Vendgrumbullimi i mbetjeve në Porto Romano, ku plehrat digjen në ambient të hapur, janë kthyer në një shqetësim serioz për qytetin bregdetar të Durrësit.
Por më shumë nga të gjithe ndotjen po e vuajnë studentët e Universitetit "Aleksandër Moisiu", të cilët studiojnë vetëm 500-600 metra larg nga vendgrumbullimi i mbetjeve.
Studentët thonë se e kanë të pamundur të studiojnë në auditoret e Universitetit, pasi i gjithë tymi i mbetjeve përfundon nëpër sallat e korpusit universitar.
Ata kërkojnë të merren masa urgjente për mbylljen e këtij vendgrumbullimi që është kthyer në ndotësit më të mëdhenj të qytetit bregdetar.