Gjykata e Durrësit ka vendosur të shtyjë sërish hetimin me kërkesë të prokurorisë së Durrësit për vjedhjen e dokumenteve dhe serverëve në prokurorinë e Durrësit në 25 maj të këtij viti.
Drini Pali e Pali Decolli, prokurorë të çështjes i kërkuan gjykatës shtyrjen e afatit të hetimeve, sepse nga laboratori i ekspertizës kriminalistike nuk ka ardhur ende analiza biologjike e gjurmëve të gishtave të gjetura në një kaçavidë , e konsideruar prova kryesore e akuzës.
Prokuroria si provë kryesore të përfshirjes së dy të arrestuarve ka një kaçavidë e cila është gjetur në zyrën e dhunuar të prokurorit Afrim Shehu në të cilën pretendohet se janë gjurmët e gishtave të dy të arrestuarve Artur Isa, 49 vjeç, banues në Sukth i Ri Durrës dhe Besnik Bushi 54 vjeç, banues në Durrës, që të dy me precedentë penalë të mëparshëm. Si bashkëpunëtor është arrestuar edhe roja private i godinës Njazi Lena, 56 vjeç.
Mbrojtja ka kërkuar që të kryhet analiza biologjike por nëse ka apo jo gjurmë të te të pandehurve, por prokuroria bëri me dije se laboratori ka një defekt dhe nuk e kanë sjellë në kohë përgjigjen. Sipas mbrojtësve tek këto gjurmë është mbështetur prokuroria e Durrësit, në akuzën e bërë për të pandehurit.
Në një boks të energjisë elektrike janë gjetur gjurmë të besnik Bushit i cili ka punuar si elektricist në këtë godinë. Mbrojtja ka kërkuar ekspertë për gjurmët e gishtave të gjetura brenda kapakut të boksit por gjykata e ka shtyrë deri tani këtë ekspertizë.
Asnjë prej tyre nuk e kas pranuar autorësinë deri tani, por edhe as njohjen me njeri-tjetrin më herët. Një përgjigje negative nga instituti kriminalistik për gjurmët në kaçavidën e gjetur, i nxjerr nga burgu ku po qëndrojnë tre të arrestuarit për skandalin e prokurorisë.
Isa dhe Bushi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes së zyrave të Prokurorisë Durrës. Ata dyshohet kanë hyrë në zyrat e prokurorisë dhe kanë vjedhur e dëmtuar dokumentet dhe kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik. Por në gjykatë të arrestuarit thanë se nuk e dinë ç’është një kompjuter, e aq më shumë të ndërhyjnë në të.
Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në ngarkim të Njazi Lenës dhe “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit” në bashkëpunim në ngarkim të Isës dhe Bushit.