Në 25 vitet e martesës së saj, Bahrie Gashi ka pasur 19 shtatzëni, prej të cilave tri kanë dështuar dhe 16 kanë qenë të suksesshme. Ditë më parë, 41 vjeçarja nga Prishtina solli në jetë fëmijën e saj të 16-të, lindje të cilën e realizoi në kushte shtëpie. Një ditë më pas, ajo është dërguar në spital ku po vazhdon të qëndrojë, me foshnjën e cila raportohet të jetë në gjendje shëndetësore mjaft të mirë.
Ajo thotë se shtatzënia e fundit ka qenë e paplanifikuar dhe se lindja ka ndodhur aq shpejt sa nuk ka pasur kohë për të shkuar në spital. “Katër fëmijë i kam lindur në spital, të tjerët në shtëpi më ndihmën e Zotit dhe të vjehrrës. Vjehrra më ka ndihmuar…Por, është më mirë në spital sepse është kujdesi më i mirë dhe pritja më e mirë”, thotë Bahria që ka vetëm pak ditë që ka sjellë në jetë fëmijën e saj të 16-të, ndërkohë që është duke u stabilizuar edhe vetë fizikisht.
“Planifikimi ka qenë vetëm tre po që Zoti deshi kështu. Për sa i takon kushteve financiare, nuk mund të lavdërohem sepse vetëm burri punon, ndihmë nga shteti nuk marr, asistencë sociale nuk kam, thjesht njerëzit na ndihmojnë nga pak", thekson Gashi!