Sistemi bankar shqiptar e mbylli nëntëmujorin me një fitim prej 14.3 miliardë lekësh ose rreth 114 milionë eurosh. Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimi u rrit me afro 1.1 miliardë lekë gjatë muajit shtator. Megjithatë, fitimet janë më të ulëta me 15% në raport me vlerën rekord të vitit të kaluar.
Përfitueshmëria e sistemit bankar shënon një kthim nga kapitali pranë nivelit të 13%, normë kjo e kënaqshme për rrethanat ku ndodhet sistemi financiar dhe ekonomia reale. Kthimi nga kapitali tashmë ka arritur nivele më të pranueshme për investitorët, në 13.4%.
Megjithatë, rezultati sistemik nuk tregon aspak gjendjen e të gjitha bankave në treg. Prej vitesh, fitimet janë mjaft të përqendruara në dy-tre bankat më të mëdha të sistemit.
Për bankat e tjera, fitimet, qoftë në vlerë absolute apo kthim nga kapitali i investuar përgjithësisht janë më të ulëta. Të ardhurat e bankave nga interesat janë në nivele të përafërta me vitin e kaluar, ndërsa faktori më përcaktues në ruajtjen e fitimeve të larta edhe këtë vit është rënia e kredive të këqija.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit, raporti i kredive me probleme qëndroi sërish në 12.9%, në nivelin më të ulët që nga viti 2010. Provigjionet për kreditë e këqija këtë vit ishin në vlera pozitive, çka nënkupton se sistemi ka rimarrë prej provigjioneve ekzistuese.
Gjatë këtij viti, efektin kryesor në uljen e këtij treguesi po e japin ristrukturimet dhe rikthimet e kredive, ndërsa deri vitin e kaluar rënia e kredive me probleme ishte sidomos rezultat i fshirjes së huave të humbura.