Me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë që nuk janë mbyllur ende, komisionerët e vettingut i zhvendosin kontrollet e trefishta shume larg listës prioritare dhe njerëzve të drejtësisë të përfolur për korrupsion.
Duke lënë ne harresë Urgjencën për institucionet e reja të reformës në drejtësi, Vettingu po merret me studentet e magjistraturës. Siç duket nga kalendari komisioni i pavarur i kualifikimit, brenda pak ditësh janë thirrur për në Vetting 3 studentë të cilët pasi u shpallen fitues në muajin maj pasi, kanë pak ditë që kanë nisur shkollën.
Të nëntë fituesit ishin ndihmës ligjorë dhe ndonëse asnjeri prej tyre nuk gjendet në listën prioritare, për KPK ata konsiderohen më të rëndësishëm se KLGJ, KLP, KED apo edhe gjyqtaret e Krimeve të Rënda dhe të Apeleve.
Gjate ditës studentja Arnisa Këlliçi e kaloi procesin e vettingut, ndërsa të mërkurën del para KPK studentja tjetër Miranda Nakaj. Më herët shoku i klasës së tyre Artor Ylli u ngel në provimin e vettingut. 32-vjeçari, rezultoi me probleme me pasuritë, pasi gjatë kohës që kishte punuar si avokat nuk kishte paguar tatimet.
“Unë banoj në shtëpinë e prindërve, skam asnjë pasuri, kam vetëm llogarinë ku marr rrogën. Pasi nuk gjetën asnjë pasuri, ata gjeten një pretekst që sipas tyre nuk kisha paguar detyrimet e tatimeve gjate kohës që isha ndihmës avokat. Në atë kohë unë isha në pamundësi t’i paguaja sepse isha avokat i ri dhe nuk kisha punë, detyrimet e reja ishte një shumë prej 14 mijë lekë”, u shpreh Artor Ylli, kandidat për magjistrat.
Pavarësisht se do ta apelojë vendimin, ish kandidati për magjistrat ka pak shpresë që kërkesa e tij të shqyrtohet me prioritet, çka do ta ndihmonte të mos humbasë edhe shkollën. Tashme as në shkolle dhe as në punë Artor Ylli akuzon KPK.
“Sa filluam shkollën na filluan vettingun neve, ndërkohë që qytetarët shqiptare presin që vettingu të vazhdojë me prokurorët e gjyqtarët e përfolur. Nuk kane interes qytetarët shqiptare të na behet vettingu neve që s’kemi qenë asnjë ditë gjyqtarë. Ne kemi qenë vetëm ndihmës ligjore, kemi përgatitur relacione dhe s’kemi dhënë ndonjëherë vendime. Po bëhen përpjekje për të shpëtuar gjyqtarë e prokurorë të caktuar, gjithë kjo zvarritje, ngadalësimi i procesit të vettingut dhe fakti që filluan me ne, tregon qe procesi i vettingut ka probleme shumë të mëdha”, u shpreh Artor Ylli kandidat për magjistrat.
Kanë mbetur pa u kontrolluar Luan Dervishi kandidat për në KLGJ, si edhe kandidatët për në KLP Besnik Çami, Shpëtim Kurti dhe Ramadan Troci.
Prokurori Troci është njoftuar për të dalë para KPK në datën 9 nëntor, një seance që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, ku edhe do të mbahen në vazhdim seancat dëgjimore.