Kanë rënë në prangat e policisë dy persona, të cilët dyshohen të jenë shkaktarë të aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Korçës, ku humbën jetën babë e bijë.
Në pranga ka rënë 61-vjeçari Petrit Kupe, banues në fshatin Drithas. Kupe është zyrtar i Partisë Socialiste.
Ai ka qenë ish-kryetar i komunës Libonik, ndërsa aktualisht mban postin e Drejtorit të Ujësjellësit në Bashkinë Maliq
Gjithashtu është arrestuar edhe Laurenc Pallashi, 29 vjeç, banues në fshatin Zerec.
Sipas uniformave blu, arrestimi i tyre u bë pasi në unazën e qytetit të Korçës, duke drejtuar respektivisht mjetin tip “Volkswagen” me targa AA837JU dhe mjetin tip “Benz” me targa AA831AA, janë përplasur me njëri-tjetrin dhe kanë dalë nga rruga, duke sjellë si pasojë, vdekjen e shtetasit S.H, 32 vjeç dhe të vajzës së tij shtetases P.H, 6 vjeçe, banues në Korçë, të cilët kanë qenë duke ecur në trotuar.