Duket se Bashkia Tiranë nuk do të mjaftohet vetëm me prishjen e banesave dhe bizneseve të banorëve të Unazës së Re, por ato do duhet që të paguajnë edhe një gjobë të majme prej 5 milionë lekësh.
Gazetarja e ‘Fax News’ Eksiola Shehu tha se jashtë kamerave disa banorë të zonës së Unazës së Re që protestojnë prej ditësh në mbrojtje të pronës së tyre, i kanë pohuar se janë kërcënuar nga punonjës të INUK se nëse nuk pastrojnë inertet pasi t’u shemben banesat do gjobiten me 5 milionë lek të vjetra gjobë.
Banorët e Unazës së Re janë shprehur vazhdimisht për ‘Fax News’ se ata nuk janë kundër projektit të Bashkisë Tiranë që parashikon edhe shembjen e bizneseve dhe shtëpive të tyre, por duan të dëmshpërblehen.
Ndërkohë ka disa minuta që banorët po zhvillojnë një takim me kreun e PD-së Lulzim Basha për tu njohur me shqetësimet e tyre dhe më pas do të ketë dhe një komunikim për mediat.