Një 43 vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi është kapur me lëndë narkotike të llojit kokainë.
Operacioni i koduar "Stok" përfundoi me arrestimin e shtetasit Saimir Rrexha, të cilit ju kapën 183 gramë "Kokainë", si dhe tre armë të ftohta "thika".
"Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, ka marrë informacione nga burime të ndryshme se shtetasi Saimir Rexha, merrej me veprimtari të kundërligjshme në fushën e narkotikëve, duke shpërndarë (shitur) lëndë narkotike të dyshuar si “Kokainë” në sasi të konsiderueshme (100-200 gramë) me porosi, e destinuar për t'u shitur në lokalet e natës në Tiranë", thuhet në njoftim.
Në bazë të këtyre informacioneve nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve rreth orës 19.30, në rrugën “Marko Boçari", është ndërhyrë dhe nga kontrolli i ushtruar në trup, i është gjetur një qese me një sasi lëndë të dyshuar narkotike, gjithsej 183.2 gramë kokainë.
Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.