Një automjet i ngarkuar me drogë është aksidentuar në Lezhë dhe për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, në rrugën rurale që lidh fshatin Kaçinar të Mirditës me Kaluer në Lezhë.
Viktima është Tonin Ndreca nga fshati Kaçinar i Mirditës. 34-vjeçari ka qenë duke udhëtuar i vetëm me një automjet tip "Benz", kur ka humbur kontrollin e mjetit, duke rënë poshtë poshtë një ure.
Për pasojë 34-vjeçari ka humbur jetën e menjëhershme nga plagët e marra, ndërsa nga kontrolli i makinës u zbulua se ishte e mbushur me kanabis sativa, e cila pas peshimit rezultoi se ishte një sasi prej 80 kg.
Mësohet se i riu ishte nisur nga Kaçinari dhe nga nxitimi për të mbërritur ne kohë në destinacion, ka humbur kontrollin e mjetit duke përfunduar poshtë urës.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit si dhe të destinacionit të lëndës narkotike, e cila po tranpsortohej me automjet.
Gjithashtu po punohet edhe zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi të lëndëve narkotike.
Njoftimi paraprak i policisë për aksidentin
Në rrugën rurale që lidh fshatrat Kaçinar- Mirditë - Kaluer në Lezhë, në një terren të theksuar malor, shtetasi T.N. 34 vjeç, banues në Mirditë, duke drejtuar mjetin e tij tip "Benz", ka humbur kontrollin e mjetit duke rënë poshtë urës ku ka humbur jetën.
Në mjet ndodhej vetëm drejtuesi.
Nga kqyrja e mjetit, është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sattiva.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në foto: Viktima Tonin Ndreca