Shefat e rinj në spitale, zgjedhjet abuzive

Premte, 16 November 2018 20:24

Duke filluar nga muaji nëntor qendrat spitalore universitare do të kenë shefa të rinj shërbimi, të cilët do të zgjidhen në bazë të kritereve të reja, të ndryshuara me VKM në korrik të këtij viti. Por për mjekët kjo është një skemë abuzive, pasi Ministria e Shëndetësisë kërkon të vendosë në krye të zgjedhurit e saj.

Ndryshimi i kritereve për zgjedhjen e shefave të rinj të shërbimeve në spitale, nuk shihet me optimizëm nga mjekët. Petrit Vargu, thotë se zgjedhjet ccdo 4 vite për drejtuesit e shërbimeve në spitale dhe ndryshimi i tanishëm i kritereve është një formë për Ministrinë e Shëndetësisë që të zgjedhë të preferuarit e saj.

Petrit Vargu: Gjithçka bëhet në funksion të zgjedhjes së shefave të shërbimit të disa personave të caktuar. Pse duhet të zgjidhen shefa të rinj? Shefi është shef dhe mund të dalë në pension duke qenë shef nëse ai nuk bën shkelje. Ai mund të hiqet vetëm për jo merita pune ose ti jepet prokurorisë nëse ka bërë shkelje. Kush është në Komisionin për zgjedhjen e këtyre? Vinë nga Ministria etj, kur aty duhet të jenë përfaqësues të Fondit ose të entiteteve menaxheriale të QSUT-së.

Sipas mjekut Vargu, kriteret e reja janë të gabuara.

Petrit Vargu: Shefat e Departamenteve që japin mësim janë të favorizuar, në një kohë që këto duhet të jenë të ndaluar të marrin pjesë në këtë konkurim. Nëse ti merresh me punën pedagogjike, ti nuk je një supermen që të merresh edhe me drejtimin e shërbimit. Këtu i jepet shumë përparësi jo anës menaxheriale, por anës së titujve shkencorë ku një pjesë e këtyre profesorëve i kanë marrë tek Fakulteti i Infermieristikës.

Mbi 90 mjekë janë bërë tashmë pjesë e garës për përzgjedhjen e shefave të rinj të shërbimit në qendrat spitalore universitare. Zgjedhjet e para do të mbahen më 19 nëntor për shefat e shërbimit në QSUT.

Login to post comments