Dëmtimi i rrugës antike nga punimet e HEC-it, u fshi me një të rënë lapsi

Hënë, 19 November 2018 13:58

Marrë nga exit.al

Një pjesë e rrugës antike Egnatia është dëmtuar nga punimet për ndërtimin e digës së hidrocentralit “Slabinja 2D”, në Pogradec të kryera nga kompania “Hidropower Elektrik”. Ky fakt u bë publik nga një investigim i gazetarit Geri Emiri, themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, i cili shkruan në artikullin e botuar në Reporter.al se:

Kompania e ndërtimit të hidrocentralit “Hidropower Elektrik” sh.p.k” ka hedhur inerte e shkëmbinj dhe e ka përdorur rrugën prej kalldrëmi mijëra vjeçare, për kalimin e automjeteve, të cilat kanë thërrmuar pjesë të saj dhe e kanë dëmtuar atë në pika të ndryshme.

Veprimet e kompanisë në dëm të rrugës antike u denoncuan më 14 tetor 2017, pranë prokurorisë së Pogradecit, e cila nisi hetimet për dëmtimin e kësaj rruge.

Por, pas një viti, Prokuroria e Pogradecit vendosi pushimin e hetimeve bazuar në ekspertizës e një topografi, I cili shkruan se “para fillimit të punimeve nuk kemi gjurmë të ndonjë rruge (qoftë kjo dhe rruga Egnatia)”.

Po ashtu, në përgjigje të një kërkesë për informacion nga BIRN, Prokuroria e Pogradecit shtoi edhe se gjurmët e rrugës ‘Egnatia’ nuk mbërrinin deri në Pogradec, por gjendeshin “deri në Qukës” të Librazhdit. Në vendimin e Gjykatës së Pogradecit nënvizohet se nuk mund të kishte vepër penale të dëmtimit të rrugës, sa kohë në zonë nuk kishte asnjë rrugë.

Por, prokuroria në hetimet e saj — në bazë të vendimit të gjykatës dhe përgjigjeve të marra nga BIRN — nuk ka marrë parasysh asnjë nga dokumentet që dëshmojnë praninë e rrugës antike, përfshi studimin e kompanisë “K.A.E.XH” sh.p.k.

Studimi i kompanisë së specializuar arkeologjike “K.A.E.XH” sh.p.k, i përpiluar në tetor 2017 – rreth kohës kur edhe është denoncuar dëmtimi, thekson se gjatë vëzhgimit në zonë u gjetën pjesë të kalldrëmit të rrugës.

“Në këtë trakt përfshihet edhe kanioni i Shkumbinit, në të cilin gjendet një kalldrëm romak me gjatësi rreth 100 metra. Ky trakt përfundon në hyrjen e kanionit, ku është ndërtuar vepra e marrjes së Hec-it Slabinja 2D [diga]”, shkruhet në raport. Në një pikë tjetër raporti thekson se kalldrëmi ishte rreth 300 metra dhe i ruajtur relativisht mirë.

Bazuar në këtë raport, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë më 13 dhjetor 2017, e ka urdhëruar shoqërinë që po ndërton HEC-et që; “të mos kryhet asnjë lloj punimi apo lëvizje, në zonën e shtrirjes së traktit të periudhës romake” dhe “punimet duhet të monitorohen çdo ditë nga arkeologët.”

Megjithatë, përpos urdhrit të KKA-së edhe pas raportimit nga policia për dëmtimin e kalldrëmit, kompania vijoi me hapjen e rrugës që i shërben hidrocentralit, ndërsa rruga antike vazhdoi të përdoret prej saj për kalimin e automjeteve.

Ndërhyrja e kompanisë ndërtuese në kanionin e Llëngës, i cili është Monument Natyre që prej vitit 2002, është konstatuar edhe nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë, e cila i dërgoi BIRN një procesverbal në të cilin përshkruhej puna e kompanisë.

“Me datën 07.02.2018, AdZM-ja Korçë me grup pune ka verifikuar gjendjen në vend [dhe] ka konstatuar shkelje të ligjit, për të cilin mbajti proces-verbal konstatimi për hyrje dalje të mjeteve të transportit në kanion dhe i’a kaloi për ndjekje të mëtejshme Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP)”, tha AdZM. Administrata e Zonave të Mbrojtura shtoi se pas referimit të saj. ISHMP kishte marrë masë administrative ndaj kompanisë.

BIRN nuk arriti të kontaktonte me drejtues të kompanisë ‘Hidropower Elektrik”, e cila ka qenë përgjegjëse për ndërtimin e digës.

Kompania Hidropower Elektrik i shiti 34 për qind të aksioneve kompanisë në pronësi të Kishës Ortodokse “Energjia Ekologjike”. Ndërsa 65 për qind e aksioneve është në pronësi të kompanisë “Wondervolt 2018”.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë dëm, pasi ju e dini që është kisha, asnjë dëm tek monumentet e kulturës,” tha Hallarambe Gjoka administrator i kompanisë ‘Energjia Ekologjike.’ Gjoka megjithatë shtoi se nuk mund të fliste për ngjarjen që kishin ndodhur para se ata të bëheshin pjesë e kompanisë.

Zhvendosja e ‘kanionit’ të mbrojtur

Gjatë viteve 2015-2018 AdZM Korçë ka mbajtur një sërë procesverbalesh mbi ndërhyrjen e kompanisë në kanionin e Llëngës. BIRN zbuloi që këto dokumente janë kontradiktorë me njeri-tjetrin.

Sipas shkresave që iu dërguan BIRN pas një kërkesë për të drejtë informimi, në shtator 2016 inspektorët e AdZm kishin konstatuar ndërhyrje të kompanisë në zonën e mbrojtur. Në procesverbal thuaj se brenda kanionit ishin “ndërtuar mure betoni”. Po aty shtohet se kompania kishte ndërmend ta përdorte kanionin për të kryer transport.

Megjithatë, në një dokument të dytë rezulton se AdZM nuk ishte e qartë për kufijtë e kanionit. Në 11 tetor 2017, pak ditë para se të denoncohej dëmtimi i rrugës antike, AdZM kërkonte ekspertizë për të përcaktuar kufijtë e kanionit dhe nëse ato ishin prekur nga ndërtimi.

Në dokument del se ky përcaktim kufijsh u bë bashkë me përfaqësues të kompanisë dhe më pas diga rezultoi të ishte jashtë kanionit të mbrojtur. Megjithatë AdZM pranoi se edhe pas këtij caktimi kufijsh kompania kishte shkelur brenda kanionit.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit BIRN gjeti edhe një sërë kontradiktash të tjera. Kështu në shkresën drejtuar ERE kompania pretendon se Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, pasi shqyrtoi raportin e vëzhgimit sipërfaqësor në kuadër të zbatimit të projektit të HEC- eve, me vendimin nr. 239, datë 07 prill 2017, e miratoi lejen për këtë projekt.

Por BIRN gjeti se data e përmendur nga kompania si kohë e marrjes së këtij vendimi është e pasaktë. Raporti i vëzhgimit sipërfaqësor të cilit i referohet kjo shkresë rezultoi se është përpiluar vetëm në tetor 2017.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, ka dhënë vendim mbi këtë projekt vetëm më datë 14 dhjetor 2017 – dy muaj pas raportimit nga policia për dëmtimin e rrugës romake. Po ashtu deri në fund të vitit 2017 KKA nuk e kishte miratuar lejen siç pretendon kompania. Ndryshe, ky institucion e ka urdhëruar kompaninë që nga punimet të mos preket rruga romake, si dhe të lidhet marrëveshje për monitorimin ditor të punimeve me arkeolog.

Ndërkohë në janar 2018 një tjetër këshilli kombëtar, ai i Restaurimeve, miratoi ndërtimin nga HEC Slabinja 2C në HEC Slabinja 2D, zonë në të cilën ndodhet sipas  studimit arkeologjik edhe segmenti i kalldrëmit të vjetër.

Këshilli i Restaurimeve po ashtu vendosi që kompania “Hidropower Elektrik” sh.p.k, “në këmbim” do të kryej restaurimin e një prej monumenteve simbol të zonës së Mokrës, “Urës së Golikut”. Po ashtu shoqëria caktohet që të kontribuojë edhe për vendosjen e sinjalistikës në monumentin e kulturës, “Shkëmbi i Qytetit – Shpella e Mokrës”.

Megjithatë në një përgjigje të marrë nga Instituti i Monumenteve – pjesë e Këshilli Kombëtar të Restaurimeve, rezulton se deri në tetor 2018, nuk ekzistonte një kontratë me kompaninë për të bërë këto restaurime.

Qëndrimet krejtësisht të ndryshme të dy këshillave kombëtar në varësi të Ministrisë së Kulturës, nuk ishin të vetmet në këtë rast.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Korçë (DRKK), në një korrespondencë me Institutin e Monumenteve të Kulturës në 30 tetor 2017 – 16 ditë pas denoncimit të ngjarjes, pasi kryen inspektimin në terren del në përfundimin se “…ndërtimi i HEC-eve nuk dëmton asnjë monument kulture apo potencial arkeologjik”.

Vetëm një muaj më pas, më 30 nëntor 2017, DRK Korçë “zbulon” rrugën romake që në fakt përmendej në studimet e disa dekadave më parë! Ajo këtë herë informon Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, se “…në hapësirën e HEC-it Slabinjë 2C deri në veprën e marrjes së HEC-it Slabinja 2D [vendi i ngjarjes sipas policisë], në anën e majtë të luginës “ekziston një kalldrëm i periudhës romake, që nuk gëzon statusin monument kulture”.

Arkeologu Ceka i tha BIRN se KKA duhej të kishte inspektuar zonën që prej shfaqjes së problematikës dhe të marrte në mbrojtje kalldrëmin. Ai fajësoi ASHA-në dhe Institutin e Monumenteve se janë hije e asaj që duhej të ishin dhe se ishin kthyer në “shtratin ku fle i qetë shkatërrimi i monumenteve, pasi i ka shkatërruar monumentet”.

Rruga e dëmtuar

Rruga që sipas policisë dhe siç pranohet nga punonjësit e kompanisë është mbuluar me gurë e shkëmbinj, është identifikuar në disa studime përfshi vëzhgimin e fundit arkeologjik të porositur nga vetë kompania që po ndërton HEC-in, si një degëzim i rrugës ‘Egnatia.’

Në librin “Rrugë dhe ura të vjetra në Shqipëri” të botuar në vitin 1997, specialisti i monumenteve të kulturës Valter Shtylla, i referohet kalldrëmit në kanionin e Llëngës si kalldrëmi i një rruge romake, i ngjashëm me Egnatian, duke shërbyer si degëzim i saj.

“Në Grykën e Llëngës, në Mokër të Pogradecit, ruhen gjurmë kalldrëmi të njëjtë me atë të rrugës Egnatia, që lidhte zonën e Bishnicës me Korçën”, shkruhet në librin e Shtyllës.

Prania e degëzimit në këtë zonë përmendet edhe në botime më të hershme të cituara edhe në vëzhgimin sipërfaqësor të “K.A.E.XH” sh.p.k.

Arkeologu Neritan Ceka nisur nga fotografitë të bëra në vendin ku është konstatuar dëmtimi, tha se degëzimi mund të jetë më i ri se Egnatia. Ceka megjithatë e quan atë të “jashtëzakonshëm” dhe kërkon “mbrojtje të menjëhershme”. Ai shtoi se “përcaktimi i kohës kur i përket rruga mund të bëhet vetëm në se studiohet lidhja e saj me vendbanimet të cilave u shërbente”.

Kalldrëmi gjendet në Kanionin e Llëngës, monument i mbrojtur natyre që ndodhet në malësinë e Mokrës  në Pogradec. Sipas burimeve të antikitetit kjo zonë ka qenë e banuar nga fiset ilire Enkeleasi dhe Desaretët.

Zona konsiderohet mjaft e rëndësishme për arkeologjinë shqiptare pasi gati gjysma e monumenteve të kulturës në Pogradec gjenden në këtë malësi, duke nisur që nga Varret Ilire të Selcës së Poshtme, e deri tek manastiret mesjetare, si ai i “Shën Marenës” – dy site arkeologjike jo shumë larg zonës ku ndodhi dëmtimi.

“Është një monument i jashtëzakonshëm për vendin ku gjendet dhe kombinimin me kanionin, prandaj është urgjente vënia në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve”, tha Ceka.

Për shkak të mungesës së një ekspertize nga arkeologë, është e paqartë se çfarë është mbuluar nga shkëmbinjtë dhe cili është dëmi konkret në rrugë. Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë, i thanë BIRN se do të nisnin verifikimin në terren, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka ende asnjë përgjigje mbi rezultate konkrete të këtij verifikimi.

Hidrocentralet Slabinja

Hidrocentralet Slabinja u miratuan në prill 2008, pas një kontrate midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “L.N.K” sh.p.k. Koncensioni parashikonte ndërtimin e 5 hidrocentraleve të vegjël në ish-komunën Velçan, Pogradec, me afat shfrytëzimi 35 vite dhe me të drejtë shtyrje të kontratës.

HEC-i i parë, “Slabinja 1”, u vu në punë në vitin 2012, ndërsa vijon ndërtimi i të tjerëve, që emërtohen sipas radhës; “Slabinja 2E, Slabinja 2D&2D/1, Slabinja 2C dhe Slabinja 2B.

Rreth një muaj përpara denoncimit të dëmtimit, më 12 shtator 2017 midis shoqërisë ndërtuese “HidroPower Elektrik” dhe ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, u bënë disa ndryshime në kontratën e koncensionit, ku nga 5 HEC-e u eliminua HEC-i “Slabinja 2A” dhe u rrit fuqia prodhuese e energjisë, nga 13.8 MW, në 15 MW, me një investim rreth 1 miliard lekë.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, heqja e HEC Slabinja 2A nga projekti u bë për shkak se pellgu ujëmbledhës ishte i vogël. Më datë 25 qershor 2018, Enti Rregullator i Energjisë, ERE, nisi shqyrtimin e kërkesës së shoqërisë  “HidroPoëer Elektrik” për modifikimin e licencës për prodhimin e energjisë.

Në shkresën dërguar ERE ku kërkohet ndryshimi i licencës, kompania pranon “problemet arkeologjike”, duke i lidhur ato kryesisht me HEC-in “Slabinja 2A”,  i cili po ashtu do të ndërtohej pranë rrugës romake dhe urës monument kulture “Jollë – Llëngë”.

“Në disa segmente gjurma kalonte në zona natyrore dhe arkeologjike të mbrojtura …edhe pse të konstatuara me vonesë”, thuhet në letrën e kompanisë drejtuar ERE.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...