Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për kalimin e procesit të vettingut për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj. Sipas Komisionerit Publik, hetimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është i plotë dhe se provat janë të pamjaftueshme për konfirmimin e tij në detyrë.
"Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit", thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ, të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.
Dollapaj kaloi vettingun me sukses më 6 gusht të këtij viti.