Emisioni “Fiks Fare” solli në vëmendje pak ditë më parë rastin e një zonje e cila vuan nga talasemia dhe në bankën e gjakut nuk kishte gjak për të. Lefteri Dedej nga fshati Konjati, Dushk i Lushnjës apelonte për ndihmë pasi prej 4 muajsh kishte marrë vetëm një qese gjak. Zonja Dedej kërkonte gjak në spitalin e Lushnjës “Ihsan Çabej” por mjekët pretendonin se nuk ka dhe se duhet të gjente vetë një dhurues për ta ndihmuar.
Pasi u njoh me rastin në fjalë Presidenti i Republikës, Ilir Meta fillimisht nëpërmjet kabinetit të tij kontaktoi drejtuesit e emisionit “Fiks Fare” dhe premtoi se në kuadrin e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” shumë shpejt do të organizonte një seancë dhurimi gjaku për t’i shkuar në ndihmë jo vetëm zonjës Lefteri Dedej por edhe të gjithë atyre banorëve në këtë bashki që kanë nevojë për gjak.
Dhe këtë të martë, Presidenti Meta e mbajti premtimin, teksa priti së pari në zyrë znj.Dedej e më pas së bashku udhëtuan drejt Klinikës “KEIT”, ku u organizua një seancë për dhurimin e gjakut nga studentë dhe të rinj për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të Lushnjës që kanë nevojë.
“Është krijuar një shqetësim që unë mendoj që është e panevojshëm, por që për ju është jetik. Edhe unë jam njohur nga mediat për këtë shqetësim. Këto janë raste për të reflektuar dhe për të përmirësuar më mirë funksionimin e gjithë këtij mekanizmi pasi unë besoj se ne i kemi të gjitha kapacitetet që të mos kemi asnjëherë raste të tilla. Falënderoj edhe emisionin Fiks Fare për këtë raportim dhe shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten më”, - tha Presidenti Meta.
“Fushata jonë është e vazhdueshme, është në varësi me kërkesat dhe me dinamikën e nevojës për gjak dhe të mundësisë së dhurimit. Pra ne duhet të paralajmërohemi në kohë nga spitali i Lushnjes, nga spitali i Fierit apo ndonjë qendër tjetër që ato nuk kanë mundësi për të dhuruar gjak dhe atëherë ne i paraprijmë me disa seanca të dhurimit të gjakut që ë mos ketë asnjëherë mungesë. I gjithë ky kontribut do të shkojë për të gjithë ata qytetarë dhe fëmijë nga Lushnja të cilët vuajnë nga ky problem dhe kanë nevojë për dhurimin e gjakut në mënyrë sistematike”-, deklaroi Presidenti i Republikës.