Taksa “Haradinaj” mbi produktet e importit nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina ka ngjallur reagime të shumta. Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës sa i përket importeve, pasi me rreth 450 milionë euro në vit, përfaqëson 15% të importeve në Kosovë.
Por, cilat janë produktet kryesore që importin Kosova nga Serbia, mungesa e të cilave në tregun e Kosovës si rrjedhojë e taksës, mund të sjellë probleme serioze brenda vendit?
Në vend të parë qëndron energjia elektrike, me rreth 12% peshë në importet e Serbisë në vend, më pas ndjek kategoria e naftës, me rreth 11%, ndërkohë që në vend të tretë janë drithërat, me diçka më pak se 10%.
Të treja këto kategori, në rast se taksa prej 100% do të vazhdojë, do të ndalen së futuri në Kosovë nga Serbia e për rrjedhojë mund të shkaktojnë edhe probleme të mëdha në furnizim, sidomos tani që dimri është te dera.
Mungesa e naftës dhe energjisë elektrike në treg do të ishte shumë e rëndë e po ashtu edhe mungesa e drithit.
Të paktën në rastin e energjisë elektrike, Shqipëria do të mund të zinte shumë mirë vendin e Serbisë, në rast se kjo e fundit do të dilte nga tregu kosovar.
Më pas ndjekin pijet dhe metalet, ndërkohë që kategori si sheqernat dhe nën produktet, hekuri dhe çeliku apo vajrat zënë një peshë tepër të vogël.