Përfaqësues të Bashkimi të Prodhuesve Shqiptarë, Klubit të Prodhuesve të Kosovës me mbështetjen e “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë”, si dhe të Odës Ekonomike të Kosovës, në një takim sot në Tiranë i kanë drejtuar kërkesa specifike drejtuar qeverive përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës, lidhur me problematikat që sipërmarrjet kombëtare të dy shteteve (Shqipëri dhe Kosovë), hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre.
Kërkesat konsistojnë në problematikat dhe procedurat tarifore dhe jo-tarifore në sektorin doganor, konkretisht si më poshtë:
Heqjen e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Shqipërisë)
Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Kosovës)
Njohja e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
Njohja reciproke e regjistrimit te produkteve farmaceutike (autorizimi për tregtim) nga agjencitë relevante, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë në të dyja tregjet. (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
Të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 26 EUR vajtje/ardhje për Kamionët, pasi e njëjta paraqet pengesë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve; (Kërkesa i drejtohet qeverisë shqiptare)
Heqja e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën; (Kërkesa i drejtohet dy qeverive)
Krijimi i Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet dy qeverive)
Të bëhen pjesë e mbledhjeve të qeverive të përbashkëta përfaqësues të “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë” dhe përfaqësues të “Klubit të Prodhuesve të Kosovës; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)
Afati për katër pikat e fundit është mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive.
Në lidhje me rishikimin e kufirit të akcizës së birrës si dhe për disa çështje të tjera që prekin sektorin e konvertuesve të plastikës dhe prodhuesve të miellit, anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës do të zhvillojnë tryeza sektoriale për të arritur kërkesa të përbashkëta në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve ekonomike, tregtare të dy vende.