Më 2 dhjetor hyn në fuqi ndalimi i bërë nga qeveria shqiptare nëpërmjet një Vendimi të posaçëm për importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet dhe makinave më të mëdha me një moshë mbi 15-vjeçare.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi dje qytetarët dhe bizneset se ditën e diel hyn në fuqi VKM Nr. 633, datë 26.10.2018 “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete”.
Kush lejohetKy vendim zbatohet për mjetet motorike të kategorisë M (M1, M2) për transport njerëzish dhe N (N1) për transport mallrash. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;
b) Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;
c) Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;
ç) Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Të gjitha makinat e vogla që janë me moshë mbi 10-vjeçare dhe ato të mëdha me një moshë mbi 15-vjeçare do të kthehen nga Dogana dhe nuk do të lejohet hyrja dhe regjistrimi i tyre në Republikën e Shqipërisë.
Kështu, në dhjetor 2018 do të lejohen vetura me vit prodhimi jo më larg se 2008, ndërkohë që për kamionë e autobusë mosha e prodhimit për importim nuk duhet të jetë më larg se 2003-shi. Por, nga 1 janari shifrat ndryshojnë: makinat e vogla duhet të jenë më vit prodhimi jo më larg se 2009-a dhe ato të mëdha për transport njerëzish e mallrash jo me të vjetra se viti 2004.
PërjashtimeKy vendim nuk zbatohet për importin e automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë: automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970; automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë; automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.
Po kështu, nuk zbatohet për importin e mjeteve motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare.
Vendimi i Këshillit të Ministrave që hyn në fuqi 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pra nga data 2 dhjetor 2018.
Viti 2018Në dhjetor 2018 do të lejohen autovetura me vit prodhimi jo më larg se 2008, ndërkohë që për kamionë e autobusë që blihen jashtë Shqipërisë mosha e prodhimit për importim nuk duhet të jetë më larg se 2003-shi
Viti 2019Nga 1 janari i vitit të ardhshëm shifrat ndryshojnë: makinat e vogla duhet të jenë më vit prodhimi jo më larg se 2009-a dhe ato të mëdha për transport njerëzish e mallrash jo me të vjetra se viti 2004./shqiptarja.com/