Dokumenti i plotë i miratuar me 459 vota pro ditën e Enjte në Parlamentin Europian përfshin në total 44 pika, secila prej të cilave nënvizon progresin apo hapat që duhen ndërmarrë në sektorë të ndryshëm për të nxitur integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Raporti i Knut Fleckenstein, në njërën prej këtyre pikave thotë shprehimisht: “I frikësohemi impakteve negative në punësim si dhe në politikbërjen sociale pas shpërbërjes së Ministrisë së Mirëqenies Sociale, rrjedhojë e ristrukturimit të qeverisë. Kështu, organeve të Bashkimit Europian, kjo lëvizje duket aspak e menduar mirë. Ndër të tjera, mes rreshtave, i bëhet apel autoriteteve shqiptare që të rrisin bashkëpunimin me unionet e tregtisë në mënyrë që të forcohet dialogu shoqëror.
Po ashtu, i bëhet apel qeverisë shqiptare që të ndërmerren masa të menjëhershme për të adresuar normën e lartë të papunësisë, sidomos mes të rinjve dhe femrave, por edhe për të ndaluar punën e të miturve.
I njëjti dokument, thotë ekzaktësisht se: Jemi të shqetësuar se, Shqipëria vijon të jetë vendi nga i cili buron emigrimi i paligjshëm si dhe vendi me kërkesat më të larta të pabazuara për azil. Në kuadër të kësaj, organet e Bashkimit Europian, i kërkojnë qeverisë shqiptare që të ndërmarrë masa për të frenuar këtë fenomen.