Kryepeshkopata katolike e Santa Fe-së në shtetin jugperëndimor të SHBA-së Nju Meksiko, ka nisur procedurat e falimentimit pas një numri të madh akuzash për abuzim seksual.
Në një deklaratë të enjten, kryepeshkopi i Santa Fe-së John Wester tha se shqetësimi kryesor i kishës janë viktimat e abuzimit seksual. Ai tha se do të bëhet gjithçka e mundur për të siguruar kompensimin e drejtë të tyre.
Sipas kryepeshkopit nisja e procedura të falimentimit do të "sigurojë transparencë të plotë financiare në lidhje me operacionet dhe pronat e kryepeshkopatës".
Njoftimi i tij vjen një ditë pasi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Meksikos zhvilloi kontrolle për dokumente që lidhen me dy priftërinj të akuzuar me fakte të besueshme për abuzim seksual me fëmijët.
Kryepeshkopata e Nju Meksikos është përballur me padi të shumta dhe ka paguar ndërkohë miliona dollarë në formë kompensimi ndaj viktimave, tha John Wester.
Kryepeshkopata është një prej rreth 20 dioqezave në Shtetet e Bashkuara që kanë nisur procedurat e falimentimit në lidhje me skandale abuzimi.
Në mbarë botën kisha katolike është tronditur për shkak të zbulimit të skandaleve të shumta të abuzimit seksual të kryera nga priftërinj, klerikë të tjerë, anëtarë të stafit dhe vullnetarë.