Fitueset e çmimit të 9 me radhë, Johann-Philipp-Palm, për lirinë e mendimit dhe shtypit vijnë këtë vit nga Bosnja dhe Sudani Jugor. Çmimet u ndanë të dielën në Schorndorf të Baden Vyrtembergut.
Çmimi ndërkombëtar Johann-Philipp-Palm, për lirinë e shprehjes së mendimit dhe lirinë e shtypit i është ndarë këtë vit aktivistes nga Bosnjë-Hercegovina Shtefica Galiq dhe gazetares Josephine Achiro Fortelo nga Sudani Jugor. Çmimi shoqërohet me 20.000 €, ndërsa nikoqir i ceremonisë festive ishte kryeministri i Baden Vyrtembergut, Winfried Kretschmann. Me këtë çmim nderohen personat dhe insitucionet të cilat në mënyrë të veçantë angazhohen për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.
Kroatja nga Bosnja/Shtefica Galiq është një kroate nga Bosnjë-Hercegovina, e cila angazhohet kundër shkallëzimit të sërishëm të nacionalizmit në hapsirat e ish - Jugosllavisë. Gjatë luftës kroato-boshnjake (1993), Galiq ka ikur nga vendi i saj, së bashku me burrin e saj të ndjerë Negjo Galiq. Ajo ka ikur me dokumente të falsifikuara dhe kështu ka shpëtuar nga vdekja e sigurt. Sot Shtefica Galiq u shpjegon njerëzve krimet dhe tmerret që janë bërë në kohën e luftërave. Bashkëjetesa dhe e ardhmja më e mirë janë të mundura vetëm nëse njerëzit në B-H i kuptojnë dhe përpunojnë krimet nga e kaluara. Në portalin e saj "tacno.net", Shtefica Galiq shkruan për krimet dhe kriminelët të cilët kanë bërë spastrime etnike në këtë vend. Për këtë shkak Shtefica Galiq sulmohet nga nacionalistët, përballet me kërcënime, e madje edhe me sulme fizike. Megjithatë ajo i ka mbetur besnike idesë së pajtimit dhe bashkëjetesës në vendin e origjinës.
Nderimi i gazetares/Josephine Achiro Fortelo është gazetare që punon në radio dhe prej vitesh angazhohet për lirinë e shprehjes së mendimit dhe për lirinë e shtypit në Sudanin Jugor. Si drejtore e radios "Bakhita", e cila është pjesë e një rrjeti të mediave katolike, perceptohet si një "zë i lirive të njeriut“. Për momentin është duke punuar në projekte të ndershme për ruajtje e të drejtave të njeriut. Ajo është edhe drejtuese e "ComNet South Sudan", një projekti të mbështetur nga UNESCO, si dhe koordinatore e projektit "Cross-Border Network", një projekt i Akademisë së Deutsche Welles. Josephine Achiro Fortelo konsiderohet si një simbol i luftës për lirinë e shprehjes së mendimit, për lirinë e mediave dhe për vlerat demokratike.