Studentët i janë përgjigjur Ministres Nikolla, pas ftesës që ju bëri kjo e fundit për tu tërhequr nga protesta duke ju ofruar një zgjidhje alternative.
Ata thanë se refuzojnë në mënyrë kategorike zgjidhjen e ofruar nga Ministria e Arsimit, dhe se e vetmja zgjidhje është ajo e plotësimit të kërkesave të tyre, që do të thotë tërheqja e VKM-së dhe jo vetëm heqjen e një pikë.
Ata e kanë quajtur arrogante ministren Nikolla dhe kanë deklaruar se nuk do tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Nuk tërhiqemi. Ministrja Nikolla arrogante. Nuk tërhiqemi pa u shfuqizuar vendimi. Arsimi është për të gjithë jo vetëm për ata që kanë lekë. Nesër në mëngjes bojkotojmë mësimin për të marshuar drejt ministrisë. Në çdo fakultet do bojkotohet mësimi. Do mblidhemi në orën 8 të mëngjesit dhe që aty do marshojmë drejt Ministrisë.” – brohorasin ata para godinës së Ministrisë së Arsimit.
Pak më herët, ministrja Nikolla në një konferencë për shtyp nga selia e Ministrisë që drejton tha se e ndiqte me vëmendje shqetësimin e studentëve dhe shpjegoi tarifat e studimit. Studentët kanë protestuar edhe ditën e djeshme në fakultetin e Arkitekturës, duke kërkuar uljen e tarifave studentore, pagesën me këste të tarifës si dhe heqjen e tarifës për provimet e mbartura.
“Derisa VKM të shfuqizohet, studentët do rrinë në rrugë duke bojkotuar shkollën. U vendos që në çdo fakultet në Tiranë apo rrethe, orët e mëngjesit do bojkotohen dhe studentët do protestojnë deri në shfuqizim. Rezistenca studentore do vazhdojë pasi do kuptohet që të drejtat e studentët duhet të vihen në vend. Nuk do i nënshtrohemi një arrogance që kërkon të bëjë shoë me fjalët.” – deklaruan të tjerë studentë.